Ballina Aktualitet Tirana digjet nga flakët, Bashkia “kujtohet” të hapë tender 313 mijë €...

Tirana digjet nga flakët, Bashkia “kujtohet” të hapë tender 313 mijë € për zjarrfikëse “për terrene të vështira”

58
0

Në kulmin e zjarreve që përfshinë Priskën e Madhe, Dajtin dhe disa fshatra në juglindje të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për blerjen e një automjeti të ri zjarrfikës për pyjet, me fond limit rreth 313 mijë euro.

Procedura u shpall ndërkohë kur flakët vijonin në Dajt, mbi tunelet e Qafë-Mollës, si dhe në aksin Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër.

Bashkia synon pikërisht blerjen e një automjeti zjarrfikës të përshtatshëm edhe për të gjitha terrenet.

Financimi do të mbulohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, të parashikuara në buxhetin e vitit 2026.

Kritere të forta për kompanitë

Procesverbali i tenderit, i konsultuar nga ekofin.al, përmban një listë të gjerë kërkesash ekonomike, profesionale dhe teknike, të cilat e bëjnë relativisht të ngushtë profilin e kompanive që mund të konkurrojnë.

Kompanitë që do të konkurrojnë duhet të dëshmojnë qëndrueshmëri financiare dhe përvojë të mëparshme në kontrata të ngjashme. Ato duhet të paraqesin bilancet për vitet 2023–2025, ndërsa xhiroja e realizuar në të paktën një vit dhe kontratat e ngjashme të përmbushura gjatë tre viteve të fundit duhet të jenë secila jo më pak se 40% e fondit limit, ose rreth 11.63 milionë lekë. Kërkohet gjithashtu një personel mesatar prej të paktën katër punonjësish, përfshirë një inxhinier mekanik, një xhenerik dhe një elektroauto, si dhe certifikimi ISO 9001:2015 ose ekuivalenti i tij.

Një ndër kriteret më të forta është detyrimi për të pasur në pronësi, me qira ose në një formë tjetër përdorimi një servis me sipërfaqe jo më të vogël se 500 metra katrorë, brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Servisi duhet të jetë i licencuar për autoriparimin e mjeteve rrugore, të ketë pajisje për diagnostikimin e defekteve elektronike dhe një gropë pune me gjatësi të paktën tetë metra. Bashkia parashikon të kryejë inspektim në ambientet e servisit përpara shpalljes së fituesit.

Kompanitë duhet të kenë gjithashtu certifikatën ISO 9001:2015 ose një certifikim të barasvlershëm dhe të sigurojnë autorizim drejtpërdrejt nga prodhuesi ose nga një distributor i autorizuar.

Mjeti duhet të jetë për tregun e BE-së

Automjeti duhet të jetë prodhuar në një vend të Bashkimit Europian ose të jetë prodhuar për përdorim në tregun e BE-së. Për këtë kërkohet deklaratë e shoqëruar me certifikatën e konformitetit, e cila duhet të dëshmojë përmbushjen e standardeve europiane të sigurisë, performancës, emetimeve dhe mbrojtjes së mjedisit.

Garancia duhet të jetë jo më pak se tre vjet ose 100 mijë kilometra për automjetin dhe të paktën pesë vjet për superstrukturën zjarrfikëse. Mjeti duhet të dorëzohet me ngjyrë të kuqe, me fenelina dhe identifikimin e shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Çmimi duhet të përfshijë zhdoganimin, regjistrimin, targat shqiptare dhe siguracionin e detyrueshëm. Automjeti duhet t’i dorëzohet Bashkisë i regjistruar në emrin e saj dhe i gatshëm për qarkullim e ndërhyrje. /ekofin.al