Policia e Kosovës, ka njoftuar se kanali i Ibër Lepencit është dëmtuar sërish. Në raport theksohet se dëmtimi është bërë nga persona të panjohur.
“Zubin Potok 22-25.11.2025 – NN. Është raportuar se persona të panjohur me mjete të forta kanë dëmtuar një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit (bajpas-it)’’, thuhet në raportin e policisë.
Për shkak të një shpërthimi, kanali Ibër-Lepenc, ishte dëmtuar edhe një vit më parë. Më saktësisht, shpërthimi ndodhi me 29 nëntor, 2024, rast të cilin, Kosova e cilësoi si një akt terrorist dhe akuzoi Serbinë për organizimin e tij.
Një vit pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varragë në pjesën veriore të Kosovës, rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësit e saj mbeten ende të paqartë.
Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor, 2024. Kosova e cilësoi atë si një akt terrorist dhe akuzoi Serbinë për organizimin e tij, por Beogradi i mohoi këto akuza.
Pas incidentit, SHBA-ja deklaroi se nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejt Beogradin me shpërthimin dhe se është herët për të nxjerrë përfundime, por konfirmoi se në hetime janë përfshirë edhe agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI).
Prokuroria Speciale e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se rasti i shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc është ende nën hetim dhe se nuk mund të japë detaje për të.
Për Ehat Miftarajn, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është e rëndësishme që hetimi të jetë profesional dhe i bazuar në prova, “për të siguruar që ata që e kryen këtë akt të dhunshëm, të ndiqen penalisht”.
Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd nëse po zhvillon hetime, pasi kryeprokurori Nenad Stefanoviq tha më herët se pret “një hetim gjithëpërfshirës për të zbuluar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.







