Tremujori i tretë i vitit nuk ka rezultuar pozitiv në drejtim të prodhimit të energjisë elektrike, pasi situata hidrike ndikoi në rënien me 31.3% të prodhimit neto vendas, në raport me tremujorin e tretë të vitit 2024.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave për periudhën korrik – shtator të këtij viti u prodhuan 1.075 gWh nga 1.565 gWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë 2024.
Rënia e prodhimit nga hidrocentralet ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të peshësh së energjisë diellore. Sipas INSTAT, sivjet prodhimi u realizua nga hidrocentralet publike në masën 54.5 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 16.5 %, ndërsa 29% u gjenerua pikërisht nga centralet fotovoltaike.
Ulja e prodhimit ka ndikuar në rritjen e importit të energjisë dhe sipas të dhënave nga INSTAT për këtë periudhë importi u rrit me 65.3%. Gjithsesi, në rritje me 10.8% rezultojnë edhe eksportet e energjisë.
Ndërkaq, humbjet në rrjet, duke përfshirë rrjetin e transmetimit dhe atë të shpërndarjes arritën vlerën 323 gWh nga 344 gWh, duke shënuar kështu një rënie me 5.9 %.
Paralelisht, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e tretë të vitit 2025, u ul me vetëm 0.1%, teksa në këtë rënie kanë ndikuar bizneset, që ulën konsumin e energjisë elektrike me 0.3%. Ndryshe rezultojnë shifrat për konsumatorët familjarë, që rritën lehtë konsumin e energjisë me 0.1 %.







