Zjarret masive që përfshinë jugperëndimin e Francës kanë nxjerrë në dritë një depo të fshehur me rreth 400 predha dhe municione historike në fshatin Le Porge, në rajonin e Girondës, duke shkaktuar dhjetëra shpërthime që alarmuan banorët dhe ekipet e emergjencës. Sipas autoriteteve lokale, shpërthimet që u dëgjuan gjatë natës së dytë të zjarrit, të cilat fillimisht u menduan se vinin nga bombola gazi, rezultuan të ishin municione të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, të aktivizuara nga temperaturat e larta.
Kryebashkiaku i Le Porge, Martial Zaninetti, deklaroi për France Info se gjatë natës u dëgjuan më shumë se 100 shpërthime, duke e krahasuar situatën me “tingullin e luftës”.
“Brenda territorit të komunës sonë kishte depo municionesh të varrosura, por ne nuk e dinim. Ato shpërthyen nga zjarri,” tha ai, duke shtuar se predhat fluturonin “djathtas e majtas” dhe se njëra prej tyre depërtoi edhe në një banesë. Operacionet e çminimit kanë bërë të mundur kthimin e shumicës së banorëve në shtëpitë e tyre, megjithatë disa zona mbeten ende të izoluara për arsye sigurie. Në deklaratën e tij në Instagram, kryebashkiaku njoftoi se hyrja drejt oqeanit, një kampingu dhe fshatit La Jenny vazhdon të jetë e ndaluar.
Sipas mediave franceze, arsenali i zbuluar përfshinte municione gjermane dhe franceze, si predha mortajash dhe predha antitank, të mbetura që prej Luftës së Dytë Botërore.
Zjarri në Girondë, i cili u vu nën kontroll pas rreth 10 ditësh, shkatërroi më shumë se 180 banesa. Pamjet nga Le Porge tregojnë familje që kërkojnë mes rrënojave të djegura të shtëpive të tyre. Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, falënderoi zjarrfikësit për përballimin e krizës, duke deklaruar se Franca “ka qëndruar e vendosur përballë një krize të paparë” dhe se banorët e evakuuar po kthehen gradualisht në shtëpitë e tyre.
Gjatë dy javëve të fundit, zjarret kanë goditur disa vende evropiane, veçanërisht Francën dhe Spanjën, ku janë evakuuar mbi 330 mijë persona. Vetëm në jugperëndim të Francës janë djegur rreth 42 mijë hektarë, duke e bërë këtë një nga zjarret më të mëdha pyjore që vendi ka përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore.







