Ilir Alimehmeti ka reaguar pas deklaratave të Gazment Bardhit, i cili e minimizoi takimin e figurave të votuara të PD-së duke e quajtur “thjesht kafe”. I pyetur nga gazetari Robert Rakipllari, Alimehmeti tha se problemi qëndron te mungesa e komunikimit nga drejtuesit e PD-së, jo te takimi në fjalë.
“Të them të drejtën, statuset në Facebook nuk i komentoj. Po të donte kryesia, më kishte thirrur. Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar, por s’na ka thirrur,” deklaroi Alimehmeti.
Ai nënvizoi se demokratët flasin me njëri-tjetrin sepse janë lënë jashtë procesit vendimmarrës:
“Përgjigjja është: jo, s’ka qenë mundësia për të folur. Ta marrim situatën në dorë. Lënia pa folur dhe shmangia sjell situata si këto ku jemi sot — një qeveri e kalbur dhe një opozitë që nuk afron dot njerëzit.”
Alimehmeti theksoi se përgjegjësia bie te drejtuesit e PD-së, të cilët nuk kanë thirrur asnjë nga anëtarët e zgjedhur me votë:
“Privilegjet dhe përgjegjësitë shkojnë lart. Numrat tanë të telefonit i kanë, ne përgjigjemi gjithmonë. Po s’na kanë thirrur. Ne vazhdojmë punën tonë me demokratët.”
Reagimi i tij vjen si një tjetër sinjal i qartë i tensioneve të brendshme në PD dhe i distancës në rritje mes drejtimit aktual dhe figurave të votuara nga baza.







