Media italiane kanë zbuluar detaje të reja si funksionte grupi kriminal që trafikonte kokainë nga Ekuadori dhe furnizonte Europën e Italinë ndërsa paratë e drogës pastroheshin në Shqipëri.
Hetimet, të kryera nga viti 2020 deri në vitin 2025 nga Njësia e Policisë Ekonomiko–Financiare e Breshias dhe nga Shërbimi Qendror i Hetimit të Kriminalitetit të Organizuar, kanë rindërtuar strukturën piramidale të organizatës kriminale.
Mediat italiane shkruajnë se në krye të grupit që drejtohej nga Shqipëria ishin Denis Myftiu, Erion Kapidani dhe Elvis Doci, i njohur dhe si Visi i Pojës, nipi i Xhevdet Troplinit.
Në krye të saj, nga baza operative në Shqipëri, Denis Myftiu, Erion Kapidani dhe Elvis Doci jepnin urdhra dhe koordinonin veprimtarinë përmes chat-eve të enkriptuara me algoritme të avancuara, të cilat hetuesit kanë arritur ti dëshifrojnë përmes ndihmës së ndërkombëtarëve, shkruan lecco today. Kujtojmë se Visi i Pojës është ende në kërkim nga SPAK për Operacionin Ura të zhvilluar në muajin maj të këtij viti në bashkëpunim me autoritetet italiane.
1300 kg kokainë e heroine
Operacioni, i koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Breshias dhe i quajtur “Golden River”, ka çmontuar organizatën kriminale shqiptare që dyshohet të ketë trafikuar mbi 1.300 kilogramë kokainë dhe heroinë për një periudhë 5 vjeçare (2020–2025).
Hetimi konsiderohet si një nga goditjet më të forta të dhëna ndonjëherë ndaj rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës që veprojnë në Itali. Me vendim të Gjykatës së Breshias janë lëshuar 24 masa sigurie, nga të cilat 21 arrest me burg dhe 3 arrest shtëpie.
Drejtimi nga Shqipëria
Denis Myftiu, alias Aurel Hoxha apo Dario Myftiu konsiderohet promotori dhe drejtuesi i grupit kriminal që trafikonte drogë nga Ekuadori në BE dhe në Itali. Nga Durrësi Denis Myftiu me Erion Kapidanin drejtonin të gjithë trafikun përmes komunikeve me platformat Sky-Ecc dhe Encrochat.
Mësohet se Myftiu mbante kontaktet me furnizuesit e lëndëve narkotike, duke përcaktuar sasinë, mënyrat dhe afatet e importimit, si edhe duke vendosur se në cilën bazë logjistike do të dërgohej droga.
Për çdo aktivitet të paligjshëm, Myftiu i drejtohej Erion Kapidanit i cili nga provinca e Bërgamos kujdesej për detajet e pritjes, magazinimit dhe më pas shpërndarjes së drogës te grosistët e ndryshëm.
Më pas nga data 24 dhjetor 2021, pasi kishte braktisur përfundimisht territorin italian, Erion Kapidani drejtoi trafikun e kokainës të organizatës drejtpërdrejt nga Shqipëria së bashku me Denis Myftiun.
Si transportohej droga
Droga nga Ekuadori transportohej drejt Italisë me kamionë. Ndërkohë, heroina transportohej nga Shqipëria në drejtim të Italisë, përmes autobusëve. Sipas mediave Italiane, shoferët e autobusëve shpesh nuk ishin në dijeni, ndërsa shoferët e kamionëve ishin bashkëpunëtorë të klaneve.
Baza në Itali
Rrjeti kishte në dispozicion gjashtë baza logjistike në territorin italian: tre në provincën e Breshias (në Rovato, e menaxhuar nga Arlin Buzali; në Palazzolo sull’Oglio, nën mbikëqyrjen e Eduart Lebës; dhe një tjetër në qytetin e Breshias), një në provincën e Leccos e cila i ishte besuar Deliut, një bazë në Pulja e koordinuar nga Vincenzo Bruno dhe Altin Shehaj, si dhe një tjetër në veri të Italisë.
Në këto qendra operative bëhej magazinimi i drogës së ardhur nga Amerika e Jugut dhe më pas shpërndarja te klientët. E gjithë kokaina nisej nga Amerika e Jugut, udhëtonte përmes linjave detare tregtare drejt porteve kryesore të Europës së Veriut, dhe më pas futej në Itali e fshehur brenda mjeteve të rënda. Pasi kalonin kontrollet doganore, ngarkesat shpërndaheshin në bazat logjistike.
Parate e droges në Shqipëri me autobusa
Paratë cash të përfituara nga shitjet i transferoheshin drejtuesve shqiptarë përmes korrierëve, të ashtuquajtur “money mules”: shoferë autobusi të linjës Itali–Shqipëri që pranonin të transportonin shumën gjatë udhëtimeve të tyre të rregullta. Thelbësore për organizatën ishte edhe bashkëpunimi me një kompani transporti e administruar nga Giuseppe Iorio, 57 vjeç, me origjinë nga Campania dhe banues në provincën e Bergamos, e cila siguronte mbështetje logjistike për aktivitetet kriminale duke vënë në dispozicion kamionë për zhvendosjen e drogës dhe organizimin e udhëtimeve të mbulesës.
Bashkëpunimi me Sacra Corona Unita
I konsoliduar rezulton edhe lidhja mes organizatës shqiptare dhe krimit të organizuar në Pulja, konkretisht me Sacra Corona Unita, për shpërndarjen e drogës në jug të Italisë.
Baza operative në Lecco: 80 kg drogë në muaj
Hetimet kanë dokumentuar ekzistencën e gjashtë bazave logjistike të shpërndara në territorin italian, mes të cilave një ndodhej në provincën e Lecco, në rajonin e Lombardisë, në veri të Italisë. Qendra e Leccos, sipas asaj që ka rindërtuar Guardia di Finanza përmes deshifrimit të chat-eve të enkriptuara të përdorura nga organizata, drejtohej nga Ardian Deliu, banues në Castello di Brianza.
Nga analiza e komunikimeve mes drejtuesve të grupit, Denis Myftiu dhe Erion Kapidani, ka rezultuar se Deliu i besoheshin rreth 80 kilogramë kokainë në pak më shumë se një muaj. 40-vjeçari e merrte drogën drejtpërdrejt nga drejtuesit dhe, duke ndjekur udhëzimet e tyre, e shpërndante te klientët finalë në të gjithë veriut e Italisë.
Që nga 17 nëntori 2020, bisedat e përgjuara dokumentuan importimin e një ngarkese të madhe kokainë, të cilën Deliu filloi menjëherë ta shpërndante. Midis nëntorit dhe dhjetorit 2020, Deliut i ngarkohen të paktën dhjetë episode të shpërndarjes së drogës: një kilogram në Padova më 26 nëntor, një tjetër në Pordenone po të njëjtën ditë, 1,5 kilogram në Casalpusterlengo më 27 nëntor, tre kilogram në Torino më 28 nëntor, një kilogram në Zogno më 28 nëntor, një kilogram në Palazzolo sull’Oglio më 30 nëntor, dhe tre kilogram në Piossasso më 5 dhjetor.
Më 1 dhjetor 2020, Deliu mori një ngarkesë të re prej 28 kilogramësh, e cila u shpërnda ditët në vijim tek blerës të ndryshëm, mes tyre një person në Torre Boldone dhe Lala Oltion në Piossasso. Në total, midis dhjetorit 2020 dhe ditëve të para të janarit 2021, hetimet dokumentojnë kalimin e dhjetëra kilogramëve drogë përmes rrjetit të menaxhuar nga banori i Castello di Brianza.
Veprimtaria e Deliut përfundoi më 19 janar 2021, kur Karabinierët e Bergamos e ndaluan tek pika e kontrollit të autostradës, ndërsa ai po drejtonte një furgon Renault Maxity me targë DR691TT. Në bord të mjetit, forcat e policisë gjetën të fshehur pesë kilogramë kokainë. Arrestimi në flagrancë konfirmoi atë që ishte zbuluar më parë nga bisedat e interceptuara: Deliu ishte një element operativ qendror i rrjetit të shpërndarjes në veri të Italisë.
Ervis Belshaku, banues në Valmadrera, është nën akuzë për dy vepra të ndryshme penale. E para ka të bëjë me shpërndarjen e tre kilogramëve kokainë, të cilët ai i kishte marrë nga drejtuesit e organizatës. Episodi i dytë, më i rëndësishëm, e akuzon atë për mbajtjen e 23 kilogramëve kokainë në Calusco d’Adda, në provincën e Bergamos, midis fundit të dhjetorit 2020 dhe janarit 2021.







