Ballina Aktualitet Investigimi i medias meksikane: Mafia shqiptare është në shënjestër të Trump, kartelet...

Investigimi i medias meksikane: Mafia shqiptare është në shënjestër të Trump, kartelet po distancohen prej saj

38
0

Nga Oscar Balderas

Imagjino sikur je një trafikant droge që ka sjellë në këtë kontinent një ngarkesë armësh nga Evropa Lindore; kartelet meksikane të kanë paguar një shumë të majme –le të themi 50 milionë dollarë në para të gatshme– për ato pushkë dhe municione. Por, ajo që dukej si bekim, është kthyer në mallkim: pasi merr paratë, për shembull në shtetin Sinaloa, kupton që nuk mund t’i nxjerrësh as me avion e as tokësor drejt “kontinentit të vjetër”. Të duhet diçka që të fshehë origjinën e paligjshme të parave të tua, sepse aq shumë para të gatshme do të të zbulonin si mafioz.

Imagjino tani që pranë hotelit tënd ka një kazino. Një vend ku mijëra operacione financiare bëhen çdo ditë, dhe shumica kalojnë pa u vënë re nga një sistem mbikëqyrjeje i ngarkuar dhe i vjetruar. Akoma më mirë: atij vendi, që është përballë rrugës, i pëlqejnë klientët me para në dorë. Kështu që mbledh 50 të njohur dhe secili ndërron nga një milion dollarë në fisha me miratimin e pronarëve. Tani, paratë e tua të pista kanë bërë një hap të rëndësishëm: kanë marrë një funksion të ligjshëm — lojën e fatit, një aktivitet i lejuar në Meksikë.

Grupe me nga pesë miq ulen në të njëjtën tavolinë pokeri. Shtiren sikur nuk njihen dhe luajnë sikur të kishin fisha të pafundme. Disa humbasin shumë, të tjerë fitojnë pak në kohë rekord. S’ka rëndësi rezultati. E rëndësishme është “të humbasësh me qëllim” kundër një bashkëpunëtori që “fiton me fat”.

Kartelet meksikane pastrojnë para në kazino

Pas disa orësh, qëllimi është arritur: simulohet një aktivitet për një kohë të mjaftueshme dhe besueshmëri për autoritetet që 50 të njohurit të shkojnë te sporteli dhe të këmbejnë fitimet e tyre.

Disa marrin çeqe ose transferta që regjistrohen si fitime nga një aktivitet argëtues ose rimbursim për fisha të papërdorura; ata pastaj t’i dorëzojnë ty këto para që tashmë janë të pastra: janë fryt i lojës së fatit, jo i krimit. Të tjerë kërkojnë që transferimi të bëhet drejtpërdrejt në një llogari bankare jashtë vendit ku ti ke qasje. Origjina ligjore thotë gjithçka: “Kazinoja Filan Fisteku S.A. de C.V.”, një kompani e ligjshme që paguan taksat rregullisht.

Kështu që ti u paguan vetëm një komision lojtarëve të tu, një pjesë kazinosë dhe je gati të kthehesh në Evropë me miliona në një llogari bankare pa mbajtur asnjë kartëmonedhë të njollosur nga gjaku. Po, humbe pak, por pastrove shumë.

Ky skemë e thjeshtuar është ajo që zbuloi qeveria e SHBA tre vjet më parë dhe që e konfirmoi disa javë më parë: një rrjet kazinosh që pastronin para me bastesh të simuluara. Në këtë ushtrim hipotetik, kazinoja është një investim i Kartelit të Sinaloas dhe ti je një anëtar i rëndësishëm i mafies shqiptare.

Dyshimet për pastrim parash nga klani Hysa

Karteli i Sinaloas dhe CJNG kanë përdorur këto biznese për të pastruar para.

Më 12 nëntor, punonjësi e kazinosë Skampa dhe restorantit Ochuna në Ensenada, si dhe të kazinosë Midas në Playas de Rosarito, u dëbuan papritur nga vendet e punës. Ishin duke u përgatitur të hapnin dyert, kur një grup zyrtarësh federalë i urdhëruan të dilnin menjëherë. Në mes të kaosit, mësuan se Ministria e Brendshme po përsëriste të njëjtën manovër me 10 biznese të tjera të së njëjtës familje: një bastisje e sinkronizuar nga Baja California deri në Sinaloa.

Operacionet e tilla janë të rralla në Meksikë për shkak të personelit të madh dhe sekretit që kërkojnë. Çdo rrjedhje informacioni mund ta dëmtonte. Por stafi i Rosa Icela Rodríguez nuk mund të dështonte: kishin urdhra të firmosur nga gjykatës federalë, të aktivizuar nga kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme pas presioneve të Shtëpisë së Bardhë.

Presionet erdhën veçanërisht nga OFAC — Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja — që kishte lëshuar një alarm të kuq: mafia shqiptare po pastronte para në Meksikë përmes kazinove dhe restoranteve luksoze të lidhura me shtëpi bastesh të afërta me La Mayiza-n, fraksioni i Kartelit të Sinaloas besnik ndaj Mayo Zambadës.

Klanet shqiptare në veri të Meksikës — familja Hysa — dyshohen prej vitesh për pastrim parash dhe lidhje me La Mayiza-n. Anëtarët Luftar, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa, sipas SHBA, kanë përdorur investime dhe biznese të ndryshme në Meksikë për të pastruar para të trafikut të drogës, duke operuar me miratimin e Kartelit të Sinaloas.

Luftar Hysa, në vitin 2022, pagoi miliona për publikime në gazetat kryesore në përpjekje për t’u distancuar nga akuzat se ishte partner i Mayo Zambadës.

“Janë fjalë të poshtra. Nuk e njoh Ismael El Mayo-n. Nuk e kam parë kurrë. Dhuntitë e mia të vetme janë karizma dhe aftësia për biznes”, mburrej ai.

Tre vite më vonë, bizneset e tij janë mbyllur me urdhër të presidentit Donald Trump. Pretendohet se skema hipotetike e përshkruar në fillim ka funksionuar për vite me sofistikim të lartë.

Mafia shqiptare në Ballkan dhe në Amerikë Latine

Mafia shqiptare, e lindur si rrjet klanesh me lidhje gjaku, nderi e besnikërie, u fuqizua pas konflikteve të viteve ’90. Ajo bëri aleancë me ’Ndrangheta-n italiane, duke kombinuar rrugët ballkanike të trafikut me ekspertizën italiane në pastrim parash.

Kjo aleancë konsolidoi rolin e Ballkanit në tregtinë e kokainës, heroinës, armëve, trafikut të njerëzve dhe pastrimit të parave në Evropë.

Më pas, mafia shqiptare u zgjerua në Amerikën Latine, duke u infiltruar në Kolumbi, Venezuelë, Ekuador, Peru dhe Brazil — jo me dhunë, por me aleanca të fshehta me grupet vendase.

Rreth vitit 2020, Karteli i Sinaloas Sinaloa dhe CJNG – megjithëse të famshëm për dhunë ekstreme – arritën të bindin fiset shqiptare të hapnin dyert për tregtinë drejt Evropës.

Kështu u krijua një trekëndësh kriminal i fuqishëm: Meksikë – Shqipëri – Itali. Meksikanët sjellin drogë dhe kapital; italianët rrjetin financiar dhe tregtar; shqiptarët logjistikë dhe pastrim parash.

Dhe tani… kush do të jetë “pastruesi” yt i ardhshëm?

Imagjino sërish se je trafikant, ke sjellë një ngarkesë tjetër armësh nga Evropa Lindore, por mafia shqiptare është tani nën hetim nga SHBA. Nuk mund të mbështetesh më te klanet e tyre.

Por krimi i organizuar i Ballkanit ka një ofertë të re: bullgarë, rumunë, kroatë, grekë e deri te turqit, të famshëm për “ndërmjetës” që lidhin familjet kriminale nga kontinenti në kontinent.

Kë do zgjedhësh për të qenë pastruesi yt i radhës në një kazino në Sinaloa?/ DOSSIER POLITICO