Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklarimeve që janë bërë nga akterë të Vetëvendosjes, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa ka vendosur se votimi jashtë përfaqësive diplomatike të Kosovës është i kundërligjshëm.
Ky vendim që erdhi si rezultat i ankesës së LDK-së në këtë institucion, Hoti thotë se duhet të pranohet nga VV, por sipas tij, ata nuk e kuptojnë esencën e integritetit shtetëror.
Postimi i plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës, në aktivitetin opozitar të katër viteve të qeverisjes së VV-së dhe aleatëve të saj, detyrimisht është fokusuar në kontrollin dhe parandalimin e dëmeve në ekonomi, në shoqëri e në integritetin shtetëror të Kosovës, të shkaktuara në vazhdimësi nga vendimet arbitrare të kryeministrit dhe ministrave, nga ligjet jokushtetuese të miratuara në Kuvendin e Kosovës dhe nga vendimet joligjore të agjencive të pavarura.
Sikur të kishim një situatë të qeverisjes normale, progresive, demokratike e proevropiane, atëherë aktiviteti opozitar i LDK-së do të ishte fokusuar në dhënien e rekomandimeve për të avancuar politikat qeverisëse me qëllim të maksimizimit të përfitimeve për qytetarët dhe bizneset. Në një qeverisje të tillë, aktiviteti opozitar do të fokusohej kryesisht në mbikëqyrjen opozitare të zbatimit të politikave qeveritare, si dhe në aktivitete llogaridhënëse të qeverisë ndaj opozitës, që është një detyrim kushtetues i qeverisë në sistemin demokratik.
Por qeverisja e katër viteve të fundit ka qenë larg këtij modeli. Prandaj, LDK-ja ka qenë e detyruar të dërgojë shumë ligje në Gjykatën Kushtetuese, si asnjëherë më parë në historinë e jetës parlamentare në Kosovë. Shumica e atyre ligjeve janë shpallur jokushtetuese.
Në këtë kuptim duhet parë edhe ankesën e LDK-së në PZAP, lidhur me vendimin e KQZ-së për votimin e diasporës jashtë përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës.
Është naive të mendohet se mund të sigurohet integriteti i procesit të votimit në objekte private në shtete të huaja. Në këtë drejtim, ankesa e LDK-së duhet kuptuar si veprim për ruajtjen e integritetit të procesit të votimit, e rrjedhimisht edhe të integritetit të përgjithshëm shtetëror të Kosovës.
Në vend se të pranohet vendimi i PZAP-së me përulësi e respekt ndaj këtij institucion, këta dalin e shajnë LDK-në.
Është e qartë se këta nuk kuptojnë esencën e termit ‘integritet shtetëror’. Çdo debat me ta në këtë aspekt është i kotë. Këta përbuzës të shtetit të Kosovës duhet larguar me votë nga qeverisja.







