Ballina Kulturë Mozart 4-vjeçar: Letra e rrallë tregon talentin e hershëm

Mozart 4-vjeçar: Letra e rrallë tregon talentin e hershëm

31
0

Një Wolfgang Amadeus Mozart 4-vjeçar ulet në një tavolinë, zhyt me ngathtësi stilolapsin në bojën e shkrimit dhe kompozon një koncert për piano. Babai i tij shqyrton kompozimin dhe shpërthen në lot për shkak të aftësisë së djalit të tij.

Kjo skenë përshkruhet në një letër nga një mik i familjes Mozart, një nga 12 letrat që “Fondacioni Ndërkombëtar Mozarteum” në Salzburg i mori si dhuratë nga një familje koleksionistësh në Këln t[ë Gjermanisë.

“Nuk do të kishim mundur ta blinim këtë koleksion”, tha Ulrich Leisinger, drejtor akademik i “Fondacionit Mozarteum”.

Dokumentet nga familja Mozart, nga koleksioni i Hans Joachim Eggers, përbëjnë shtesën më të rëndësishme për “Mozarteum”  në 100 vitet e fundit. Eggers, një virolog që vdiq në vitin 2016, kishte kaluar 30 vite duke ndërtuar koleksionin më të rëndësishëm privat të Mozartit në Gjermani.

Trashëgimtarët e tij tani kanë përmbushur dëshirën e tij për t’i kaluar këto vepra tek fondacioni.

Fondacioni zotëron koleksionin më të madh në botë të dokumenteve origjinale të Mozartit. Ai përbëhet nga më shumë se gjysma e të gjitha dokumenteve të njohura të familjes Mozart, duke përfshirë rreth 200 letra origjinale nga vetë Mozarti.

Dokumentet e reja do të jenë në ekspozitë në shtëpinë e kompozitorit të madh  në qytetin austriak deri më 1 shkurt.

I lindur në Salzburg në vitin 1756, Mozart konsiderohet si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të periudhës klasike.