Një vit pas Martin Canit, një tjetër 15-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një sherri banal me një bashkëmoshatar. Po çfarë ndodhi gjatë këtij viti me shtetin dhe shoqërinë tonë?
Qeveria mori masën ekstreme për të mbyllur TikTok-un – rezultati? TikTok vazhdon të jetë aktiv dhe ngjarja e fundit ka qenë rrjedhojë e këtij aplikacioni. Madje edhe disa javë më parë një sherr banal që rezultoi me plagosje kishte zanafillën te një konflikt i nisur në TikTok.
Policia: asnjë ndryshim në sjellje në shkolla dhe gjimnaze. Masa për zhurmë e bujë. Përsëritja e të njëjtës skenë tregon se shteti dhe policia kanë dështuar plotësisht në parandalimin e ngjarjeve të tilla.
Ministria e Arsimit gjithashtu inekzistente. Është për turp që një javë pas ngjarjes së fundit në Durrës nuk ka ende asnjë reagim për 15-vjeçarin e plagosur dhe që sot ndërroi jetë. Sikundër asnjë reagim, qoftë njerëzor, edhe nga Ministria e Shëndetësisë për të marrë masa për të siguruar trajtim të specializuar për të miturin që humbi jetën pak orë më parë.
Po kaq pa vlerë ishin edhe të gjitha debatet televizive, sherrat dhe statuset pa fund për Martin Canin; dhimbja dhe reflektimi u harruan për t’u përsëritur një vit më pas në një tjetër ngjarje tragjike. Në një tjetër viktimë të pafajshme, për të cilin të gjithë fajësojmë nga pak veten, sepse ata që janë përgjegjës fshihen pas gishtit me shpresën se ditën e tretë gjithçka do të harrohet nga skandali i radhës.







