Kreu i Partisë Demokratike në Durrës, Osman Stafa e cilëson të stisur takimin e një dite më parë nga anëtari i kryesisë së PD, Ervin Salianji në Durrës.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se zgjidhjet për Partinë Demokratike nuk vijnë përmes kafeneve.
Sipas tij, Ervin Salianji si anëtar i Kryesisë, nismën e tij duhet ta kishte parashtruar me strukturat e partisë.
“E quaj pjesë të një kafeneje të stisur në Tiranë dhe vazhdimi ishte Durrësi. Do të doja që takimi të ishte për problematikat që ka Partia Demokratike dhe shoqëria shqiptare në tërësi. Duke qenë anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, zoti Salianji nismën e tij duhet ta kishte parashtruar në strukturat e PD. Një forcë politike i ka burimet njerëzore.
Plagët e 11 majit në Durrës janë ende të hapura, se ne nuk kemi patur zgjedhje, por votime. Nuk nxjerr jashtë përgjegjësisë strukturat e Partisë Demokratike, duke nisur që nga doktor Berisha. Por në 11 maj ka ndodhur një krim zgjedhor.
Ndjej keqardhje, siç kanë ndjerë keqardhje dhe demokratët që zoti Salianji është shoqëruar me persona që kanë qenë pjesë e PD, por në 11 maj nuk kanë bërë fushatë për PD, por kanë qenë krah Partisë Socialiste. Unë nuk jam një ushtar i bindur i Sali Berishës, por jam një ushtar i bindur i së drejtës. Nuk është kjo opozita që duan shqiptarët.” – u shpreh, mes të tjerash, Stafa.







