Ballina Kronika I dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Mondi Mëhallës, gjykata jep vendimin...

I dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Mondi Mëhallës, gjykata jep vendimin për Spahon

25
0

Gjykata e Elbasanit ka lënë në qeli Nevzat Spahon, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka, krim i ndodhur mbrëmjen e 30 Nëntorit pranë karburantit të viktimës.

Seanca me dyer të mbyllura nisi në orën 10:30, ndërsa Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar lënien pas hekurave të tij, e cila u aprovua nga togat e zeza.

Avokati mbrojtës dhe vetë i hetuari Nevzat Spaho kundërshtuan masën e sigurisë, duke kërkuar një masë më të lehtë dhe duke pretenduar se ndalimi ishte i pabazuar, por gjykata i rrëzoi këto argumente, duke theksuar se provat e administruara deri tani justifikojnë mbajtjen e tij në qeli.

“Përshëndetje, sot, më datë 06.12.2025  pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasn u mbajt seanca për masën e sigurimit  për shtetasin N.S  me objekt ” Vleftësim ndalimi, caktim mase sigurimi” seanca e masave të sigurimit u zhvillua me dyer të mbyllura, në përfundim të gjykimit gjykata e përbërë nga: Gjyqtar i çështjes z. Elis Dine vendosi: vleftësim të ligjshëm të ndalimit dhe caktim mase “arrest ne burg” për shtetasin N.S.”, informoi gjykata.

Ky vendim vjen një ditë pas seancës së gjatë, po ashtu me dyer të mbyllura, ku gjykata vendosi “arrest me burg” për:

• Xhino Agon, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Mëhallës;

• Kujtim Pishën, roje karburanti, i akuzuar për moskallëzim të krimit.

Seanca e djeshme (5 Dhjetor) zgjati mbi dy orë, ku palët u njohën me aktet dhe dëshmitë e dosjes. Burime nga salla bënë të ditur se një element që ka tërhequr vëmendje ishin deklarimet e familjarëve të Mondi Mëhallës, të cilët pretenduan se kishin lidhje miqësore të ngushta me familjen Ago, e cila u pohua edhe nga të afërmit e ortakut të viktimës, që ndodheshin jashtë gjykatës.

Prokuroria ka lidhur ortakun e viktimës, Xhino Agon me ngjarjen përmes automjetit të përdorur ditën e atentatit, makinë e cila i përkiste një kompanie të drejtuar nga viktima dhe i dyshuari, ndërsa ky i fundit ia kishte dhënë për përdorim personave të tretë.

Sa i përket Kujtim Pishës, mbrojtja kërkoi lirimin e tij duke pretenduar se roja i karburantit ndodhej duke konsumuar darkë në momentin e vrasjes, por ky argument nuk u mor në konsideratë nga gjyqtari Elis Dine.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se seanca për Nevzat Spahon shihet si kyçe për vijimin e hetimeve, pasi ai konsiderohet një hallkë e rëndësishme në zbardhjen e plotë të vrasjes së biznesmenit.

Ndërkohë, policia vijon punën për arrestimin e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim. Mondi Mëhalla u ekzekutua me tre plumba dy në kokë dhe një në trup mbrëmjen e 30 nëntorit.

Ekzekutori pasi e qëlloi brenda mjetit tip Range Rover u largua me një automjet tip Audi në drejtim të Librazhdit.