Ballina Kulturë 5 vizita papnore që kanë hyrë në histori

5 vizita papnore që kanë hyrë në histori

47
0

Në vitin 2015, Papa i ndjerë Françesku mbajti një meshë në natyrë për rreth 6 deri në 7 milionë filipinas të mbledhur në një park në Manila. Ishte audienca më e madhe papnore në histori dhe tregoi se një vizitë e papës vazhdonte të ishte një ngjarje shumë e rëndësishme në mbarë botën, edhe për jo-katolikët.

Për pjesën më të madhe të historisë së Kishës Katolike, papët nuk udhëtonin përtej Europës, thotë Christopher Bellitto, profesor historie në Universitetin Kean. Vizitat ndërkombëtare të papëve nisën të bëheshin të zakonshme vetëm gjatë papatit të Papa Palit VI (1963–1978), i cili ishte papa i parë që udhëtoi me avion. Pasardhësi i tij, Papa Gjon Pali II, realizoi 104 udhëtime jashtë vendit.

1.Papa Urbani II viziton Francën dhe nis Kryqëzatën e Parë (1095)

Papa Urbani II, i lindur në veri të Francës, ishte një nga papët e parë që udhëtoi gjerësisht në Francë gjatë papatit të tij. Urbani II ndoqi rrugën e Papa Gregorit VII, një reformator që u përpoq të zhdukte abuzimet e klerit pas një “periudhe të errët të papatit” në shekullin e 10-të, thotë MatthewSewell nga “The Popecast”, një podcast për historinë e papëve.

Në vitin 1095, Urbani II u largua nga Roma dhe kaloi Alpet për të marrë pjesë në Këshillin e Klermontit në Francën qendrore. Duke folur para një turme të madhe klerikësh dhe fisnikësh, Urbani II u bëri thirrje të gjithë të krishterëve europianë të merrnin armët kundër Perandorisë Selxhuke. Në atë kohë, turqit myslimanë kontrollonin Tokën e Shenjtë dhe sulmonin të krishterët që kërkonin të vizitonin vendet e shenjta.

Në fjalimin e tij historik, Urbani II i quajti turqit “të përçmuar, të degjeneruar dhe skllevër të demonëve” dhe u bëri thirrje “njerëzve të të gjitha shtresave, kalorësve dhe ushtarëve, të pasurve dhe të varfërve, të nxitonin për ta zhdukur këtë racë të poshtër nga tokat e vëllezërve tanë dhe për t’u ardhur në ndihmë besimtarëve të Krishtit”.

Mes 60 mijë dhe 100 mijë njerëz iu përgjigjën thirrjes së Urbanit, duke nisur një fushatë të dhunshme që u bë e njohur si Kryqëzata e Parë.

2. Para arrestimit, Papa Piu VII merr pjesë në kurorëzimin e Napoleonit (1804)

ImageNë fillim të shekullit të 19-të, Napoleon Bonaparti e shihte Kishën Katolike si një nga rivalët e tij më të mëdhenj për forcimin e pushtetit në Francë dhe më gjerë. Në vitin 1801, Napoloni arriti një marrëveshje me Papa Piun VII, e cila e njihte katolicizmin si “fenë e shumicës së madhe të popullit francez”, por e vendoste kishën në Francë nën kontroll të fortë shtetëror.

Më pas, në vitin 1804, Napoloni e ftoi Piun VII të merrte pjesë në ceremoninë madhështore të kurorëzimit, ku ai e shpalli veten perandor të Francës. Sipas traditës, papa duhej të kurorëzonte Perandorin e Shenjtë Romak, por kur Piu VII zgjati kurorën, “Napoleoni e mori atë në sekondën e fundit dhe kurorëzoi veten e më pas gruan e tij”, thotë Sewell. Më vonë, Napoleoni porositi një pikturë të madhe të atij momenti, duke besuar se e kishte poshtëruar papën dhe peshkopët e tij.

Ndërsa Napoleoni pushtonte gjithnjë e më shumë territore në Europë, Piu VII refuzoi të mbështeste veprimet e tij dhe kundërshtoi përpjekjet për të kontrolluar më tej kishën. I zemëruar nga qëndrimi i papës, Napoleoni pushtoi Shtetet Papnore në vitin 1809. Piu VII, atëherë 66 vjeç, u rrëmbye nga pallati i tij në Romë dhe u burgos fillimisht në veri të Italisë e më pas në Fontainebleau, pranë Parisit.

“Piu VII qëndroi në burg për pesë vjet dhe më pas Napoleoni ra nga pushteti [në vitin 1814]”, shpjegon Sewell. “Piu VII u kthye triumfalisht në Romë. Populli romak e priti si një mbret, sepse bashkë me të ishin çliruar edhe vetë.”

3. Papa Pali VI bëhet papa i parë që viziton Jerusalemin (1964)

ImageSipas traditës katolike, apostulli Pjetër ishte papa i parë dhe ai u largua nga Toka e Shenjtë drejt Romës rreth vitit 42 pas Krishtit. Në mënyrë të pabesueshme, asnjë papë tjetër nuk shkeli në Tokën e Shenjtë për afro 2 mijë vjet, derisa Papa Pali VI bëri vizitën e tij historike në Jerusalem me 4 janar 1964.

Nën drejtimin e Palit VI, kisha zbatoi reformat historike të Koncilit të Dytë të Vatikanit (i njohur si Vatikani II), ku përfshihej fundi i meshës në latinisht dhe një hapje më e madhe ndaj botës moderne. Edhe pse asnjë papë nuk ishte larguar nga Italia për më shumë se 150 vjet, Pali VI e bëri mision të vizitonte gjashtë kontinente gjatë papatit të tij.

“Udhëtimet moderne globale të papëve fillojnë me papatin e Palit VI”, thotë Bellitto. “Ai ishte papa i parë që udhëtoi me avion. Sa e pazakontë ishte kjo? Ai ishte peshkopi i parë i Romës që shkeli në Tokën e Shenjtë që nga largimi i Pjetrit. Për këtë arsye, Pali VI u quajt ‘Papa Pelegrin’.”

Pali VI ishte gjithashtu papa i parë që vizitoi Afrikën dhe Azinë, ku i mbijetoi një atentati në Filipine në vitin 1970.

Dekada më vonë, Papa Gjon Pali II u kthye në Jerusalem në vitin 2000 dhe u lut te Muri Perëndimor, ku kërkoi falje për persekutimin shekullor të popullit hebre nga kisha.

4. Papa Gjon Pali II kthehet në Poloni dhe frymëzon ndryshime politike (1979)

ImageI lindur si Karol Jozef Vojtila në Poloni në vitin 1920, Papa Gjon Pali II pati një rini të mbushur me vuajtje dhe shtypje. Ai humbi të dy prindërit dhe vëllain para se të mbushte 20 vjeç, ndërsa Polonia e tij e dashur u pushtua fillimisht nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas nga Rusia sovjetike. Nën regjimin komunist, adhurimi dhe praktikat fetare në Poloni ishin shumë të kufizuara.

“Vojtila duhej të trajnohej dhe të shugurohej fshehurazi si prift në bodrumin e shtëpisë së kryepeshkopit”, thotë Sewell. “Ai survejohej nga sovjetikët, por gjatë gjithë kohës ruante gëzimin dhe optimizmin. Ai nuk harroi kurrë se Polonia kishte trashëgiminë e saj krenare kulturore.”

Në vitin 1978, Vojtila u zgjodh papa i parë jo-italian që nga shekulli i 16-të dhe i pari nga një vend sllav. Si Papa Gjon Pali II, ai shërbeu për më shumë se 26 vjet dhe vizitoi 129 vende, shumë më tepër se çdo papë para apo pas tij. Por udhëtimi i tij më i rëndësishëm ishte vizita në Poloni në vitin 1979, kur vendi ishte ende nën sundimin sovjetik.

Duke folur para një turme prej gati 300 mijë njerëzish në Sheshin e Fitores në Varshavë, Gjon Pali II u kujtoi polakëve sakrificat e mëdha të bëra gjatë historisë së tyre dhe i nxiti të përqafonin Krishtin për hir të së ardhmes së Polonisë. Disa ditë më vonë, ai u tha studentëve universitarë në Krakov:”Ju jeni e ardhmja e botës, e kombit dhe e Kishës… Nga përvoja e vështirë që quajmë ‘Poloni’ mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë, por vetëm nëse jeni të ndershëm, të matur, besimtarë, të lirë në shpirt dhe të fortë në bindjet tuaja.”

Një vit pas fjalimit frymëzues dhe sfidues të papës, aktivistët politikë antikomunistë krijuan lëvizjen Solidariteti në Poloni. Dhe më pak se një dekadë më vonë, regjimi komunist polak u rrëzua.

5.Në Turqi, Papa Benedikti XVI pajtohet me myslimanët pas komenteve fyese (2006)

ImagePapa Benedikti XVI, i zgjedhur në vitin 2005 pas vdekjes së Gjon Palit II, zhvilloi 24 udhëtime ndërkombëtare gjatë papatit të tij, por asnjë nuk ishte më i rëndësishëm dhe më polemik se vizitat e tij në Gjermani dhe Turqi në vitin 2006.

Problemet nisën gjatë një fjalimi në Universitetin e Regensburgut në Gjermani, ku Benedikti XVI foli për debatin mes fesë dhe arsyes. Në ligjëratën e tij, ai përmendi një dialog të shekullit të 14-të mes një perandori të krishterë bizantin dhe një myslimani pers, duke cituar perandorin që thoshte:”Më trego çfarë të reje solli Muhamedi dhe aty do të gjesh vetëm gjëra të këqija dhe çnjerëzore, si urdhri i tij për ta përhapur me shpatë fenë që predikonte.”

Edhe pse Benedikti XVI i quajti komentet e perandorit “të papranueshme” dhe tha se i kishte përdorur vetëm për të diskutuar dhunën, arsyen dhe fenë, lajmi për komentet anti-myslimane u përhap shpejt dhe shkaktoi protesta e trazira në komunitetet myslimane në mbarë botën. Në Somali, dy persona të armatosur vranë një murgeshë katolike.

Duke pasur parasysh rritjen e retorikës anti-myslimane pas sulmeve të 11 Shtatorit, fjalët e Benediktit XVI u konsideruan veçanërisht fyese dhe polemike. Papa kërkoi falje, por prova e vërtetë erdhi dy muaj më vonë gjatë një vizite të planifikuar në Turqi, një vend me shumicë myslimane.

Si një gjest pajtimi, Benedikti XVI u bashkua me Myftiun e Madh të Stambollit në një lutje brenda mureve të Xhamisë historike Blu. Ky pajtim pati ndikim të madh te papa, i cili gjatë një vizite në Jordani në vitin 2009 bëri thirrje për një “aleancë qytetërimesh mes Perëndimit dhe botës myslimane”, në vend të një “përplasjeje qytetërimesh”.