Ballina Kulturë “Morricone ishte im atë”, Tirana përjeton magjinë e muzikës së Ennio Morricone...

“Morricone ishte im atë”, Tirana përjeton magjinë e muzikës së Ennio Morricone në një mbrëmje emocionuese

58
0

Në kuadër të Ditës së Europës, mbrëmjen e 9 majit, Sheshi Italia në Tiranë u kthye në një skenë magjike ku muzika, emocioni dhe kujtesa artistike u bashkuan në eventin “Morricone ishte im atë”, nën drejtimin e Andrea Morricone.

Koncerti solli në Shqipëri universin e pavdekshëm muzikor të Ennio Morricone, një prej kompozitorëve më të mëdhenj të kinemasë botërore. Nën tingujt e kolonave zanore që kanë shoqëruar filma legjendarë dhe breza të tërë emocionesh, publiku përjetoi një udhëtim unik artistik përmes muzikës, kujtimeve dhe rrëfimeve familjare.

Në këtë mbrëmje të veçantë morën pjesë edhe artistët ndërkombëtarë Cecilia Grillo, Alessio Quaresima Escobar dhe Vittoriana De Amicis, ndërsa Marco Morricone ndau me publikun kujtime dhe emocione nga trashëgimia artistike e familjes Morricone.

Eventi u organizua me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama, nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe COD, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Ambasadën Italiane në Tiranë, RTSH dhe TKOB.

Mbrëmja artistike erdhi nën drejtimin e drejtoreshës artistike Anila Varfi, e cila solli një koncept elegant dhe emocional që bashkoi kulturën europiane me publikun shqiptar në një festë të dedikuar muzikës dhe artit.