Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka ngritur shqetësimin se hantavirusi është i pranishëm në Shqipëri. Sipas Dashos, hantaviruset përbëjnë një familje të madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu. Ai shton se mënyra të tjera infektimi përfshijnë edhe kafshimin e brejtësve ose konsumimin e ushqimit të kontaminuar prej tyre.
“Hantaviruset janë një familje e madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu. Hantvirusi në fjalë njihet si i Andeve sepse ka qarkulluar lirisht në Amerikën Jugore. Karakteristika e hantaviruseve janë kalimi nga brejtësit te njeriu. Hantavirusi i Andeve ka edhe mundësinë e kalimit nga njeriu te njeriu. Kjo nuk është diçka e re, ka më shumë se 10 vite që është konstatuar në Kili dhe Argjentinë, zona ku ai qarkullon. Pacientët kanë infektuar mjekët që janë kujdesur pa respektuar masat. Rastet në Shqipëri janë sporadike, numërohen me gishtat e dorës. Ka pasur një shpërthim në vitet ’80, por momentalisht janë shumë të rralla. Shumica e rasteve kalojnë si një virozë e zakonshme. Por në rastet me komplikacione, variantet që transmetohen në Shqipëri janë agresive dhe kanë një vdekshmëri më të lartë në krahasim me hantaviruset që janë në Gjermani apo vende të tjera. Fati i keq i Ballkanit është që hantavirusi që prek minjtë e vegjël të arave, që ka një shenjë të verdhë në qafë dhe njihet edhe si miu i verdhë i arave, bëhet bartës i hantavirusit të Beogradit dhe ka një shkallë vdekshmërie të lartë kur komplikohet me komplikacione pulmonare. Ky virus e ka prekur Shqipërinë, është aktiv prej disa dekadash. Varet vetëm nëse qytetarët kanë kontakt me jashtëqitjen dhe urinën e minjve. Kur ato nuk pastrohen dhe thahen, më pas kthehen në pluhur dhe grimcat mund të merren nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Variantet e tjera janë nga kafshimi i brejtësve ose kur jashtëqitjet e tyre kontaminojnë ushqimin”, tha ai.







