Nga Shefqet Dibrani
Në vëllimin “KASAFORTA EROTIKE” të Muhamet Halilit, motivi i poezisë erotike është ngritur në simbolikë ekzistenciale. Poeti arrin të ndërtojë një poezi mjaft të realizuar ku trupi dhe shpirti nuk ndahen. Ata ecin paralelisht si dy lumenj që derdhen në të njëjtin destinacion. Kjo poezi në dukje është me motive epshi, dhe në anën tjetër duket si poezi e mungesës, e kujtesës, e mallkimit të dashurisë dhe e rikthimit të përhershëm te figura femërore si muzë, inspirim dhe shpëtim shpirtëror. Që në poezinë ballore “Je imja poezi”, poeti e përcakton poezinë me qenien e dashur: “je qetësia e shpirtit/ freskia e zemrës/ lot e buzëqeshje/ imja poezi/ që lindi në heshtje” (f.4). Në këtë rast poezia bëhet frymëmarrje emocionale dhe lojë erotike. Sepse gruaja dhe poezia shkrihen në një figurë të vetme, duke paralajmëruar se motivi themelor i libri do të ndërtohet mbi këtë binom: dashuri dhe varg.
1.
Cikli i parë, “Ëndërr Erotike”, është hyrja në botën sensuale të poetit. Këtu erotika paraqitet si vulgaritet dhe si ritual estetik. Një përshkrim afrie ku çdo detaj i vargut shndërrohet në metaforë poetike. Në poezinë “Kasafortë erotike”, femra paraqitet si mister që hapet gradualisht: “tri kopsat magjike/ duhet zbërthyer/ me delikatesë” (f.7), dhe kulmi poetik arrihet me vargjet përfundimtare: “kur bie/ fustani/ hapet/ kasaforta!” (po aty, f.7). “Kasaforta” nuk është vetëm trupi femëror; ajo simbolizon fshehtësinë e dëshirës, intimitetin dhe botën e ndaluar të pasionit. Jo vetëm në k$etë poezi, poeti përdor një gjuhë të ngrohtë figurative, ku sensualiteti lidhet me delikatesën, dhe jo me agresivitetin.
Një dimension tjetër i dashurisë shfaqet te poezia “Kodi i dashurisë”, ku erotika ngrihet në përmasë kozmike: “në yje deshifrova/ kodin e dashurisë” (f.8). Dashuria në këtë poezi trajtohet si mister universal, si një gjuhë sekrete që lexohet përtej tokësores. Figura e “pellgjeve të mbushura lëng ëmbëlsie” (po aty, f.8), krijon një ndjeshmëri të theksuar shqisore, ndërsa metaforat e qiellit, yjeve dhe engjëjve e spiritualizojnë dëshirën.
KODI I DASHURISË
ëndrrën tënde të koduar
ta hakova me muzën e dashurisë
një puthje eliksir ta vodha
kaq më mjaftoi
që të më dalin krahë engjëjsh
e kaltërsinë qiellore ta pushtoj
i përtërirë nga formula e rinisë
në yje deshifrova
kodin e dashurisë
në qepallat e tua do të zbres
në ëndrrën tënde e dua një vend
dhe në atë pellg lëng buzësh që ke
do të zhytem thellë e më thellë
do ta shijoj si verën e kuqe
deri sa të dehem tapë
e të nisem drejt pellgjeve tjera
të mbushura lëng ëmbëlsie
Faqe 8
Një poezi e këndshme dhe e realizuar mirë, brenda ciklit të parë është poezi “Sytë e tu janë poezi”, ku femra bëhet vetë burim krijimi: “sa herë që më shikojnë ata sy/ dhe bie prapë në dashuri” (f.16), poeti i lë poezitë e hapura sepse çdo herë i shtohen vargjet. Poezia mbyllet me vargjet: “pas çdo leximi e rileximi/ trupat qullosin çdo faqe të librit/ prandaj sytë shndërruar t’i kam/ në poezi të shpirti” (po aty, f. 17). Motivi i dashurisë as në këtë poezi nuk përfundon; ky motiv përsëritet vazhdimisht si proces krijues. Vështrimi i tij mbi gruan prodhon poezi, ndërsa poezia e prodhon dashurinë, duke krijuar një qark emocional ku poeti Muhamet Halili, mbetet përgjithmonë i robëruar nga frymëzimi.
TRINOMI “M”
Mëkatet tua
si binarë hekurudhe
sa treni sipër asaj rruge
veç mendve zarar
sa hyjnesha më deh me aromën e saj
të bukura si vetë natyra
e unë te ti si miza në “Mjaltë”
haj mede
Faqe 21
Edhe kur poeti prek dhimbjen, si te “Dashurisë i mungon peshorja e saj”, ai ruan tonin filozofik: “ajo të ngre në qiellin e shtatë/ ose të fut shtatë pash nën dhe” (f.22), por për të parë se si shtegton shpirti i poetit nëpër këto vargje poe e sjellim këtë poezi të plotë:
DASHURISË I MUNGON PESHORJA E SAJ
shpirti yt shtegtoi gjetiu
mungoi pusulla e lamtumirës
sa më shumë dua ta harroj
aq më shumë kam mall
andaj mos pyesni pse gërryhen bjeshkët
dashuria nuk paska peshore të saj
as mes të artë baraspeshe
ajo të ngre në qiellin e shtatë
ose të fut shtatë pash nën dhe
në vuajtjet e tanishme
e ndjej madhështinë e saj
Faqe 22
Motivi i dashurisë paraqitet si fuqi absolute e procesit lirik, pa masë e përtej masës, duke përdorur një energji që e lartëson njeriun, me rrezikun për ta shkatërruar për motivin e saj erotik.
2.
Në ciklin e dytë, “Sot falet mëkati”, erosi bëhet mjaftë dinamik dhe disi ledhatuese dhe njëkohësisht edhe lozonjare. Në këtë cikël erotika lidhet me lojën, vallëzimin, maskën dhe tundimin e përkohshëm. Në poezinë “Tangoja Nudo”, trupi dhe ritmi bashkohen në një skenë sensuale: “në podium dalim të zhveshur/ vallëzojmë me trupa të ngjeshur” (f.30). Kërcimi shndërrohet në metaforë të bashkimit erotik. Poetika e lëvizjes është shumë e rëndësishme në këtë cikël: trupat nuk janë statikë, por të përfshirë në ritëm, zjarr dhe dritë.
Ndërsa te poezia “Kërcimtarja misterioze”, autori ndërton figurën e femrës së paarritshme, pothuajse mitike: “vajza misterioze me maskë engjëlli/ nuk la këpucë kristali mbrapa/ veç një porosi ndriçim yjesh në qiell/ përrallat janë për naivët” (f.32). Kjo poezi, më duket se ka arritur ta çmitizojë romantizmin klasik, sepse femra nuk është princesha e përrallës; ajo është enigmë moderne që ikën pa lënë gjurmë, përveç zhgënjimit. Në një tjetër poezi me një ndjeshmëri të hollë lirike është vargu “Nëse më thua të dua”, ku dashuria merr përmasa hiperbolike:
“nëse më thua veç njëherë të dua/ do ta bëj hënën/ karficë në flokun tënd” (f.33). Ky varg bart një imagjinatë tipike të poezisë dashurore shqiptare, ku elementi kozmik vihet në shërbim të ndjenjës intime. Po ashtu, poezia “Dilemë” sjell një dimensionin tjetër psikologjik të dashurisë: “më ke dashur/ apo ishe një aktore e përkryer/ më ke harruar/ apo s’më ke pasur asnjëherë në mendje…” (f.41). Në këto poezi dashuria nuk është më e sigurt; ajo bëhet pyetje me përgjigje alegorike, prandaj poeti Muhamet Halili, shpeshherë ndalet dhe përballët me paqartësitë emocionale, dhe shpeshherë duke e kthyer dilemën në përvojë universale në shërbim të njeriut dhe njerëzores.
3.
Cikli i tretë “Pakt me hënën”, është me poezi më të realizuara, parë nga këndvështrimi emocional. Në këtë cikël, motivi erotik nuk mbetet vetëm zjarr trupor; motuvi erotik përzihet me nostalgjinë, frikën e humbjes dhe kërkimin e përtejmës. Kështu në poezinë “Mbahu hënë”, poeti krijon një atmosferë intime dhe kozmike njëkohësisht: “dehem fort n’ato buzë t’fryra/ me butësi gjinjsh duart i mbush/ hënës në qiell i skuqet fytyra/ kur Ti nxjerr gjithçka në fushë” (f.53). Në këtë rast, hëna bëhet dëshmitare e dashurisë, por edhe pjesëmarrëse emocionale në aktin poetik. Ky motiv e bën poezinë të ngrihet mbi sensualitetin e zakonshëm, dhe krijon besimin në afinitetin poetik për të zhvilluar edhe më tej këtë motiv.
Një finesë tjetër mjaftë e veçantë shfaqet te poezia “Buzët si rrush”, ku poeti përdor metafora të verës dhe rrushit për të përshkruar puthjen: “nga një palë buzë si rrush/ të gjilanases sime/ e zjarrtë prush” (f.54), dhe për më tepër “paramendojeni tani/ çfarë të më ketë ndodhur/ kur prekur kam/ cepin e buzës së saj/ ‘Muskat Hamburg’” (f.54). Kjo poezi me elementin e ndjeshmërisë dhe përjetimit ka marrë aromë vendlindjeje, duke e lokalizuar motivin erotik në një identitet konkret kulturor. Në poezinë “Pakti me hënën”, poeti shfaq durim më erotik, kurse poeti Muhamet Halili duket sikur është një njohës i mirë i këtij zanati, prandaj ai nuk ngutet, le ti ngopet syri i tjetrit pasi ai paska bërë pakt me Hënën: “kam bërë pakt me Hënën/ kjo natë do të jetë më e gjatë/ kjo natë do të jetë më e gjatë/ derisa të më shuhet etja/ e të përhumbem/ në butësinë e lëkurës tënde”, (f.59). Në këto poezi shohim se si nata erotike bëhet kohë e shenjtë e dashurisë. Nuk ka ngutje; ka soditje, pritje dhe etje të ngadalshme. Ndër poezitë më të realizuara me këtë motiv mbetet “Zemra jote bujtinë”: “për ty isha një kalimtar i radhës/që bëri konak vetëm një natë/ në zemrën tënde bujtinë” (f.62). Kjo metaforë e “bujtinës” është mjaftë e qëlluar, sepse dashuria nuk është më shtëpi; është ndalesë e përkohshme. Ndërsa te poezia “Fati im je ti” shohim se si poeti ka sjellur rikthimin e shpresës: “ma riparove zemrën/ tiktaket e saja/ shpirtin ma gjallërove/ motiv jete m’u bëre” (f.72), ndërsa poezia përmbyllet me vargjet: “Strehë e zemrës time/ m’u bëre/ fati im do të jesh/ edhe në këtë botë/ edhe në botën e përtejme” (f.72). Këtu dashuria paraqitet si forcë shpëtuese, si rilindje shpirtërore.
Vëllimi mbyllet me një ton reflektiv te “Ndarja (s)’është fund”, as shpresën nuk duhet humbur sepse ndarja nuk është fundi, por fillimi i një rrugëtimi. Për vlerën që ka poezia po e sjellim të plotë këtu:
NDARJA (S)’ËSHTË FUNDI
shiu i prillit
ta fshehu lotin
dhimbja
n’maje bjeshke
zuri vend
shpresën mos e humb
krahëhapur si pëllumbi
ndiqe rrugën
e dritës diellit
besomë
ndarja (s)’është fund
Faqe 75
Ky fund lirik lë hapur mundësinë e rikthimit erotik, duke treguar se dashuria, edhe kur mbaron, vazhdon të jetojë në kujtesë e njeriut si dhe në poezitë e poetit Muhamet Halili.
Përfundim
Vëllimi me poezi “Kasaforta erotike” është një përmbledhje poetike ku erotika ndërtohet me gjuhë figurative, me ritëm emocional dhe me ndjeshmëri lirike. Muhamet Halili arrin të ndërthurë meditimin me dëshirën, eh erë të tjera edhe me mungesën, sikurse që gërsheton truporen me shpirtëroren. Figura e Gruajs në këtë poezi nuk është vetëm objekt dashurie; ajo është muzë, enigmë, plagë dhe shpëtim!… Poezia e Muhamet Halilit, ruan një komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin, duke përdorur metafora të afërta, gjuhë të rrjedhshme dhe emocione autentike. Brenda këtij universi poetik, dashuria nuk paraqitet si qetësi e përhershme, por si udhëtim i trazuar ndërmjet ëndrrës, epshit, humbjes dhe rikthimit. Krejt në fund, mund të them se vëllimi me poezi “Kasaforta erotike” e Muhamet Halilit nuk zhvesh vetëm trupin e dashurisë; ajo ka hapur arkivin emocional të njeriut bashkëkohor, ku dëshira dhe vetmia jetojnë pranë njëra-tjetrës.






