Ballina Bota Kolera kërcënon Kongon

Kolera kërcënon Kongon

20
0

Republika Demokratike e Kongos po përballet me shpërthimin më të rëndë të kolerës në 25 vitet e fundit, ku pothuajse 2,000 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i vitit, njofton UNICEF-i.

Sipas agjencisë së OKB-së për fëmijë, vetëm këtë vit janë regjistruar 64,427 raste të infektimit dhe 1,888 viktima, përfshirë 14,818 raste dhe 340 vdekje në mesin e fëmijëve. Aktualisht, 17 nga 26 provincat e vendit janë të prekura nga epidemia.

UNICEF raportoi një rast tejet alarmues në një jetimore në Kinshasa, ku 16 nga 62 fëmijë – një e katërta e tyre – vdiqën brenda pak ditësh pas përhapjes së sëmundjes.

“Fëmijët kongolezë nuk duhet të preken kaq rëndë nga një sëmundje plotësisht e parandalueshme,” deklaroi zëdhënësi i UNICEF-it, John Agbor.

Kolera është një sëmundje akute dhe potencialisht fatale, e cila përhapet shpejt në zonat ku mungon trajtimi adekuat i ujërave të zeza dhe furnizimi me ujë të sigurt për pije.

Muajin e kaluar, autoritetet shëndetësore afrikane ngritën alarmin për rritjen e rasteve të kolerës edhe në Angola, Burundi dhe vende të tjera të kontinentit, me një shtim të përgjithshëm prej 30% krahasuar me vitin e kaluar.

Në Kongo, situata po përkeqësohet për shkak të konfliktit të brendshëm dhe mungesës së qasjes në ujë të pastër. UNICEF apelon për më shumë fonde për përmirësimin e shërbimeve sanitare, higjienike dhe shëndetësore, të cilat janë kyçe për frenimin e përhapjes së sëmundjes.