Ballina Bota Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, “zhduket” Flavio Bolsonaro! Autoritetet i anulojnë pasaportat,...

Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, “zhduket” Flavio Bolsonaro! Autoritetet i anulojnë pasaportat, dyshohet se është arratisur në SHBA

57
0

Vendndodhja e Flavio Bolsonaros, djalit të ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, është kthyer në mister vetëm dy ditë pas humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale përballë Luiz Inácio Lula da Silvës. Autoritetet braziliane i kanë anuluar pasaportat, ndërsa mediat vendase raportojnë se ai mund të jetë larguar drejt Shteteve të Bashkuara.

Një burim policor i tha agjencisë AFP se pasaportat e senatorit 45-vjeçar janë anuluar, por nuk ekziston asnjë regjistrim zyrtar që të dëshmojë largimin e tij nga Brazili.

Ndërkohë, autoritetet argjentinase kanë përgënjeshtruar raportimet se Bolsonaro kishte hyrë në territorin e tyre. Gazeta braziliane Metrópoles, duke iu referuar burimeve pranë familjes Bolsonaro, shkruan se ai mund të ketë udhëtuar drejt SHBA-së.

Dalja e fundit publike e Flavio Bolsonaros ishte pasditen e së hënës, kur përmes një videoje në rrjetet sociale njoftoi se i ishte ndaluar largimi nga Brazili dhe se ishte urdhëruar të dorëzonte pasaportat.

Pas humbjes në balotazhin e së dielës, Bolsonaro nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ai pretendon se masat ndaj tij lidhen me një deklaratë të vëllait, Eduardo Bolsonaro, i cili jeton në SHBA dhe kishte thënë përpara votimit se do të mbështeste largimin e Flavios nga Brazili në rast humbjeje.

Senatori është gjithashtu nën hetim për korrupsion lidhur me financimin e filmit biografik Dark Horse, kushtuar babait të tij, Jair Bolsonaro, i cili ndodhet në arrest shtëpie për përfshirje në një komplot për grusht shteti.

Flavio Bolsonaro i ka mohuar akuzat. Mandati i tij si senator përfundon në janar, kur pritet të humbasë edhe imunitetin parlamentar.