Ballina Politika Dhuna në protesta, Këlliçi akuzon Prokurorinë dhe Gjykatat për mosreagim: Do të...

Dhuna në protesta, Këlliçi akuzon Prokurorinë dhe Gjykatat për mosreagim: Do të mbajnë përgjegjësi para ligjit!

42
0

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar prokurorinë dhe gjykatat për mungesë reagimi ndaj rasteve të dhunës së pretenduar policore gjatë protestave në Tiranë, ndërsa ka paralajmëruar se efektivët, drejtuesit e policisë, prokurorët dhe gjyqtarët që, sipas tij, kanë shkelur ligjin, do të mbajnë përgjegjësi.

I ftuar në një studio televizive Këlliçi deklaroi se kreu i Prokurorisë së Tiranës, Arenc Çela, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, nuk kanë reaguar ndaj denoncimeve për dhunë ndaj studentëve dhe qytetarëve.

Ai kritikoi gjithashtu vendimet e Gjykatës Penale të Tiranës ndaj protestuesve, duke pretenduar se disa prej tyre janë lënë në arrest shtëpie pa kryer vepra penale. Këlliçi përmendi gjyqtaren Sonila Voskopi, duke e cilësuar situatën si shtim të masave represive ndaj protestuesve.

Kemi denoncuar me emër qoftë shefin e FNSH-së, qoftë policët që kanë rrahur barbarisht studentët dhe të rinjtë, qoftë strukturën që ka dhënë urdhër për t’i nxjerrë sytë një të riu 28 vjeçar, Erion Vishkullit, qoftë ata që kanë dhunuar, kanë thyer kockat e qytetarëve, ka zero reagim nga prokuroria e Tiranës, ka zero reagim nga prokurori i përgjithshëm.

Ndërkohë sot janë shtuar masat represive nga gjykata penale Tiranë, nga Sonila Voskopi, gjyqtarja që ka patur sot disa raste ku ka lënë me arrest shtëpie një pjesë të protestuesve paqësorë që nuk kanë kryer asnjë vepër penale në shesh.

Dhe të gjithë këta gjyqtarë, të gjithë prokurorët që po u bien në qafë studentëve, të gjithë gjyqtarët që po u bien në qafë studentëve, të gjithë forcat e policisë së shtetit, drejtuesit qoftë të FNSH-së, qoftë strukturave të tjera operacionale e tjerë e tjerë që do të evidentohen nga Partia Demokratike, jo vetëm do të diskreditohen publikisht dhe do të tregohen publikisht me emër, mbiemër, me funksion.

Të gjitha patjetër, është njoftuar edhe sot zyrtarisht nga selia e Partisë Demokratike, nga zoti Berisha që do të bëhen të gjitha publike, të gjitha rastet tona.

Mos harroni që ne që ditën e parë të protestës, domethënë të nesërmen e protestës, kemi depozituar kallëzimin e parë në SPAK, drejtuar, referuar ministrit të brendshëm, drejtorit të përgjithshëm të policisë, Skënder Hitës, dhe të gjithë shefave të komisariateve të Tiranës, dhe drejtorit të policisë Tiranë.

Kemi çuar tre shtesa kallëzimi në SPAK për aktet e dhunës dhe veprat penale ndaj të rinjve në emër të Partisë Demokratike të depozituara nga zonja Adriana Kalaja, si avokate dhe si kryetare e Gjykatës së Apelit në Partinë Demokratike, dhe kemi vijuar me denoncimin publik çdo ditë të çdo rasti që na ka ardhur.

Unë pak më parë kam denoncuar shefin e komisariatit numër 4 që ka dhunuar personalisht, fizikisht dhe verbalisht një qytetar të thjeshtë në rrugë, i cili më ka nisur një mesazh dhe e kam bërë publik.

Janë me qindra rastet që janë denoncuar nga zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të policisë së shtetit ku janë dhunuar të rinjtë, studentët dhe qytetarët e Tiranës. Të gjithë këta, ditën që ndërron pushteti do të mbajnë përgjegjësi para ligjit dhe do të zhvishen nga uniforma e shtetit që e bëjnë me turp çdo ditë që e mbajnë.

Domethënë një moment mos harrojmë për Skënder Hitën e kam dhe një merak. I kemi bërë publike edhe rastin e vilave të tij, edhe katet që shton pa leje për vilat e tij private.’, tha ndër të tjera nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi