Ballina Kuriozitete ​Zbulohet origjina e anijes daneze 2400-vjeçare

​Zbulohet origjina e anijes daneze 2400-vjeçare

177
0

Më shumë se një shekull pasi një anije e lashtë 2400-vjeçare u gërmua në Danimarkë, shkencëtarët kanë zbuluar të dhëna kyçe për origjinën e saj.

Anija Hjortspring, e gjetur me një arsenal armësh, dëshmon për një pushtim të dështuar, por prej kohësh ishte e paqartë se nga vinin sulmuesit.

Një studim i ri, i cili analizoi materialin e vulosjes dhe litarët nga anija, sugjeron se luftëtarët udhëtuan shumë më larg sesa mendohej më parë, shkruan CNN.

E gjetur në vitet 1920, anija u fundos në një kënetë në ishullin danez Als. Krahas saj ishte një koleksion armësh, si shpata, shtiza dhe mburoja që zbuluan historinë e luftëtarëve që u përpoqën të pushtonin ishullin, por u mundën. Mbrojtësit e fundosën anijen e tyre si një sakrificë, ku ajo mbeti e ruajtur për më shumë se dy mijë vjet.

Gjetjet, të botuara në revistën PLOS One, bazohen në një analizë të materialit të anijes. Edhe pse më parë mendohej se ishte bërë nga materiale lokale, studiuesit zbuluan se ajo përbëhej nga një përzierje e yndyrës shtazore dhe rrëshirës së pishës. Në atë kohë, kishte pak pyje pishe në Danimarkë, duke sugjeruar që anija ishte ndërtuar në një rajon tjetër, me shumë mundësi në bregdetin e Detit Baltik.

“Puna jonë ofron një të dhënë të re të rëndësishme për misterin se nga vinin sulmuesit në anije”, tha autori kryesor Mikael Fauvelle, një profesor pranë Universitetit Lund në Suedi. Nëse luftëtarët erdhën nga Baltiku, kjo do të thotë se ata udhëtuan një distancë të gjatë, duke treguar një sulm të organizuar dhe të para-planifikuar.

“Gjatë Epokës së Bronzit, skandinavët duhej të udhëtonin me det për të tregtuar bakër dhe kallaj, të cilët ishin të nevojshëm për të bërë bronz. Prandaj, anija Hjortspring përfaqëson rezultatin përfundimtar të një prej kulturave të hershme detare të Skandinavisë”, tha ai.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu një gjurmë gishtash të pjesshme njerëzore të ruajtur në një copë rrëshire, ndoshta të lënë nga një nga marinarët e lashtë. Sipas Fauvelle, ky është një zbulim jashtëzakonisht i rrallë për personin që përdori anijen, raporton KosovaPress.

Hjortspring, gati 20 metra e gjatë, mund të akomodonte 24 anëtarë të ekuipazhit dhe konsiderohet anija më e vjetër prej druri që ka mbijetuar në Evropën Veriore.

Përveç rrëshirës, studiuesit gjetën edhe litarë të paprekur nga anija, gjë që i lejoi ata të kryenin datim radiokarbon. Analiza konfirmoi se anija daton në shekullin e katërt ose të tretë para Krishtit, gjë që është në përputhje me vlerësimet e mëparshme. Dërrasat prej druri të anijes nuk mund të datoheshin duke përdorur këtë metodë për shkak të kimikateve të përdorura për t’i ruajtur ato.