Ballina Politika Bardhi: Opozita e kishte paralajmëruar kthimin e Ballukut në detyrë, Kushtetuesja iu...

Bardhi: Opozita e kishte paralajmëruar kthimin e Ballukut në detyrë, Kushtetuesja iu nënshtrua presionit mafioz të Ramës

0
29

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun, duke e cilësuar atë si një akt politik dhe jo juridik.

Sipas Bardhit, vendimi i djeshëm nuk përbën surprizë dhe, sipas tij, është marrë nën presionin e Kryeministrit Edi Rama. Ai shprehet se opozita e kishte paralajmëruar prej ditësh këtë zhvillim, duke akuzuar shumicën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese se nuk kanë dhënë asnjë argumentim ligjor për vendimin e tyre.

“Ky vendim nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën dhe ligjin. Është thjesht një akt politik i Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtoren e tij,” shkruan Bardhi.

Në reagimin e tij, ai thekson se vendimi është i përkohshëm dhe, sipas tij, synon t’i japë kohë Kryeministrit për të mbrojtur aferat korruptive. Bardhi nënvizon se ky akt nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje dhe nuk rikthen fondet e përfituara në mënyrë të paligjshme.

Vendimi nuk garanton mbrojtje afatgjatë, as për Edi Ramën dhe as për Belinda Ballukun. Aktet madhore korruptive nuk neutralizohen me manovra procedurale apo me vendime të përkohshme,” shprehet ai më tej.

Në përfundim, kreu i Grupit Parlamentar të PD deklaron se kjo çështje nuk do të përfundojë me triumfin e pandëshkueshmërisë, por me, sipas tij, triumfin e së vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik.

“Koha mund të blihet, por llogaridhënia jo,” përfundon Bardhi.

Postimi i Bardhit:

Koha mund të blihet. Llogaridhënia jo!

Asnjë surprizë nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pandehurën Belinda Balluku. Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet presionit mafioz të Kryeministrit. Opozita e kishte paralajmëruar këtë që ndodhi prej ditësh. 

Madje 5 anëtarët në shumicë kishin bërë shumë mirë që as nuk kishin marrë mundimin të shkruanin qoftë dy fjali për të argumentuar vendimin e tyre, sepse fundja ai vendim ska asnjë lidhje me to, me Kushtetutën dhe me ligjin. Ai është vetëm një akt politik i Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten e bashkëpunëtoren e tij, dhe për këtë arsye nuk ka asnjë nevojë të justifikohet me sajesa juridike. 

Mirëpo, kush gëzon sot, do të hidhërohet më shumë nesër! Dhe, më mirë se kushdo, këtë e di Edi Rama – Kryeministri peng i të pandehurës së vetme në historinë e Bashkimit Europian që as nuk jep dorëheqje, as nuk lejon ta shkarkojnë.

Për fat të mirë, vendimi i djeshëm është vetëm një akt i përkohshëm, që i jep pak kohë Edi Ramës për të mbrojtur aferat e tij korruptive dhe për të fshirë lotët e krokodilit përpara Belindës.

Vendimi nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje, nuk i rikthen 50 milion eurot e grabitura, dhe nuk garanton mbrojtje afatgjatë. As për Edi Ramën, as për Belinda Ballukun. Aktet madhore korruptive nuk neutralizohen me manovra procedurale dhe as me vendime të përkohshme të marra nën presion të pashembullt ndaj Gjykatës Kushtetuese. 

Fundi i kësaj historie nuk ka për të qenë triumfi i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Ka për të qenë triumfi i të vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik. Sepse koha mund të blihet, por llogaridhënia jo!