Nga Denis Dyrnjaja
Shndërrimi i politokracisë (pushteti i partive dhe klientelës politike) në meritokraci (pushteti i aftësisë, dijes dhe integritetit) është një proces i gjatë, por i mundur. Ai kërkon ndryshime institucionale, kulturore dhe qytetare njëkohësisht. Vetëm kështu mund të krijohet baza e rikthimit të vendit në aksin e duhur të një zhvillimi e progresi të vërtetë dhe rezultativ mbi baza vlerash intelektuale reale.
Politokracia nuk është thjesht një problem qeverisjeje, por është një sëmundje morale. Ajo nuk shpërblen të aftin, por besnikun, nuk ngre profesionistin, por militantin, nuk ndërton shtet, por rrjete interesi. Në politokraci, mediokriteti bëhet normë dhe paaftësia ngjitet lart, vetëm sepse di të bindet. A nuk është kjo tabloja reale sot be Shqipëri. Çdo kush prej nesh këtij konstatimi mund t’i vendosë lehtësisht edhe emrat që ka parasysh sipas eksperiencave apo referencave personale.
Meritokracia nuk mungon sepse nuk kemi njerëz të zotë. Ajo mungon sepse ata të tjerët që përfaqësojnë dhe militojnë në meritokraci kanë frikë prej tyre. Njeriu i aftë nuk kontrollohet lehtë, nuk hesht, nuk rreshtohet verbërisht, prandaj politokracia e përjashton, e lodh, e detyron të largohet.
Politokracia vjen nga errësira ose gjysmëdrita, nga marrëveshjet nën tavolinë, nga emërimet pa fytyrë dhe pa përgjegjësi. Meritokracia, përkundrazi, kërkon dritë. Kërkon konkurrencë reale, kritere të qarta, transparencë dhe ndëshkim për abuzimin. Ajo kërkon që posti publik të mos jetë shpërblim partie, por barrë përgjegjësie.
Le të jemi të sinqertë: politokracia nuk do të rrëzohet nga ata që përfitojnë prej saj. Ajo do të shembet vetëm kur qytetarët të refuzojnë ta normalizojnë apo pranojnë si standard normal atë. Kur të mos pranohet si normalitet ndarja me ky është i yni/jona, por të shtrohet së pari dhe vetëm pyetet “a është i aftë, atëherë mund të thuhet se jemi në rrugën e duhur.
Meritokracia nuk është luks, por kusht i domosdoshëm. Pa të, arsimi prodhon diploma pa dije, administrata prodhon vendime pa mendje dhe politika prodhon pushtet pa vizion. Nëse do vendoset meritokracia, shteti nuk do konsiderohet si pronë që ndahet në ngastra, ku të gjithë derdimenët e politokracisë i përdorin ato sipas interesit personal apo klanor.
Zgjedhja është e thjeshtë ose ndërtojmë institucione që shpërblejnë dijen, integritetin, dinjitetin dhe punën, ose pranojmë të jetojmë në një shoqëri ku mediokriteti qeveris dhe më të mirët pse nënshtrohen ose ikin.
Meritokracia nuk vjen nesër. Por ajo fillon sot, në momentin kur refuzojmë të heshtim, të justifikojmë dhe të përshtatemi. Sepse çdo herë që pranojmë politokracinë, ne veprojmë kundër vetes. Dhe një shoqëri që vepron kundër vetes, nuk ka nevojë për armiq.







