Ballina Kuriozitete Kina vë në funksion reaktorin e parë bërthamor operativ në botë me...

Kina vë në funksion reaktorin e parë bërthamor operativ në botë me kripë të shkrirë me bazë toriumi

0
19

Shkencëtarët kinezë kanë vënë me sukses në punë reaktorin e parë bërthamor operativ në botë me kripë të shkrirë me bazë toriumi (TMSR-LF1), i ndërtuar në shkretëtirën Gobi.
Prototipi me kapacitet 2 megavat është tashmë në funksion prej një kohe. Ndërkohë, projekti për një reaktor prej 10 megavatësh, i menaxhuar nga Instituti i Fizikës së Aplikuar i

Shangait (SINAP) pranë Akademisë Kineze të Shkencave, pritet të bëhet operativ deri në vitin 2030.

Shefi i ekipit shkencor të projektit të reaktorit me torium, Xu Hongjie, deklaroi se teknologjia është zhvilluar mbi bazën e kërkimeve të braktisura amerikane për reaktorët me kripë të shkrirë nga vitet ’60 të shekullit të kaluar. Edhe Shtetet e Bashkuara, edhe Bashkimi Sovjetik kishin zhvilluar këtë teknologji, por të dy vendet hoqën dorë rreth 50 vjet më parë, duke u fokusuar te reaktorët me ujë nën presion që përdorin uranium.

“Shtetet e Bashkuara i lanë kërkimet e tyre të hapura për publikun, duke pritur pasardhësin e duhur. Ne ishim ai pasardhës. Mësuam gjithçka që gjetëm në literaturë dhe shkuam edhe më tej”, tha Xu.

Tërheqja e toriumit qëndron në faktin se ai mund të ndihmojë në arritjen e vetë-mjaftueshmërisë energjetike duke ulur varësinë nga uraniumi, veçanërisht për vende si India, e cila ka rezerva të mëdha toriumi. Kina, nga ana tjetër, mund ta sigurojë toriumin si nënprodukt ose mbetje nga industria minerare gjatë nxjerrjes së mineraleve të ndryshme.

Përdorimi i toriumit do të siguronte rezerva praktikisht të pashtershme të karburantit bërthamor. Provinca kineze Gansu po zhvillon gjithashtu ide për përdorime detare dhe hapësinore të këtij furnizimi të ardhshëm me energji, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.

Sipas raportit të Akademisë Kineze të Shkencave mbi ndikimin mjedisor, bërthama e reaktorit me kripë të shkrirë do të jetë tre metra e lartë dhe 2.8 metra në diametër. Ajo do të funksionojë në temperaturë 700 gradë Celsius, me fuqi termike 60 megavat dhe prodhim prej 10 megavatësh energji elektrike.

Toriumi-232, i cili gjendet në shkëmbinj magmatikë dhe në rëra minerale të rënda, është më i përhapur në Tokë sesa izotopi i uraniumit-235 që përdoret zakonisht si karburant bërthamor. Megjithatë, ky metal me radioaktivitet të ulët nuk i nënshtrohet drejtpërdrejt fisjonit që prodhon energji, por fillimisht duhet të shndërrohet në uranium-233, i cili është fisional.

Ky eksperiment i suksesshëm konsiderohet si provë e qëndrueshmërisë së teknologjisë së reaktorëve me torium. Ndër përparësitë kryesore të saj janë:

• Më pak mbetje radioaktive, pasi reaktorët me torium prodhojnë dukshëm më pak mbetje bërthamore afatgjata krahasuar me reaktorët klasikë me uranium.

• Siguri më e lartë, sepse reaktorët me torium janë më rezistentë ndaj aksidenteve bërthamore dhe procesi i djegies së toriumit nuk mund të shkaktojë reaksion zinxhir të pakontrolluar.

• Rrezik më i vogël për përdorim ushtarak, pasi toriumi, ndryshe nga uraniumi dhe plutoniumi, është shumë më i vështirë për t’u përdorur në prodhimin e armëve bërthamore.