Burime diplomatike kanë bërë të ditur se Komisioni Evropian po përgatit plane për të hequr një pjesë të masave ndaj Kosovës, konkretisht rreth 50 për qind të tyre, çka në aspektin financiar nënkupton lirimin e rreth 200 milionë eurove nga fondet që aktualisht janë të suspenduara.
Sipas mediave në Kosovë, ky vlerësim i BE-së është bërë i mundur pas transferimit të pushtetit lokal në veri të Kosovës dhe pritet të përfshihet edhe në konkluzionet që ministrat e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë dhe mund të miratojnë të martën në Bruksel, në kuadër të debatit për procesin e zgjerimit.
Në draftin e konkluzioneve thuhet se Këshilli i BE-së përsërit qëndrimet e mëparshme dhe përshëndet heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës, megjithëse formulimi nuk jep sqarime të qarta për afatet dhe mënyrën e heqjes së tyre. Burime diplomatike sqarojnë se edhe pse Këshilli ka dhënë pëlqimin politik, vendimi praktik për heqjen e masave i takon Komisionit Evropian, shkruan koha.net.
Fati i masave ndaj Kosovës varet kryesisht nga Komisioni Evropian, por disa shtete anëtare kundërshtojnë heqjen e menjëhershme të tyre para zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe favorizojnë një qasje graduale, ndonëse shumica e vendeve të BE-së do të preferonin heqjen e plotë dhe të menjëhershme. Përveç kësaj, ekziston mundësia që konkluzionet të mos miratohen për shkak të çështjeve të tjera që përfshihen në dokument.
Në konkluzionet për Kosovën dhe Serbinë, BE-ja do të shprehë keqardhje për mungesën e përparimit në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut. Nga Kosova pritet të nisë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkohet njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës, ndërprerja e kundërshtimit ndaj anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, si dhe marrja e hapave konkretë për sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve për dhunën e vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, mediave dhe qytetarëve.







