Televizioni më i madh në SHBA, FoxNews në një artikull të gjatë për përplasjet e Parlamentin e Shqipërisë, shkruan se, kaosi ka ardhur për shkak se, mazhoranca socialiste me në krye Edi Ramën, po kërkon të mbrojë Belinda Ballukun nga arrestimi.
‘Përplasjet e ashpra në Kuvendin e Shqipërisë nuk ishin një incident i rastësishëm parlamentar, por shpërthim i revoltës së opozitës ndaj asaj që ajo e cilëson si mbrojtje politike të korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisë, konkretisht ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku’, shkruan Fox.
Sipas televizionit amerikan, ‘deputetët e Partisë Demokratike, kryesore forcë opozitare në vend, ndezën flakadanë, bllokuan foltoren dhe zunë vendet e ministrave, në përpjekje për të ndalur një seancë që, sipas tyre, po përdorej për të shmangur transparencën dhe për të fituar kohë për moslejimin e arrestimit të Ballukut, pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të saj.
Situata degradoi shpejt, duke çuar në ndërhyrjen e Gardës së Republikës brenda sallës së Kuvendit, një skenë e paprecedentë që opozita e konsideron simbol të një pushteti që nuk mbron rendin kushtetues, por interesat e zyrtarëve të inkriminuar.
Në qendër të përplasjes qëndron kërkesa zyrtare e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut, me qëllim arrestimin e saj për dyshime serioze korrupsioni. Hetimet lidhen me projekte infrastrukturore me vlerë qindra miliona euro, përfshirë tunele dhe rrugë strategjike në Tiranë, ku dyshohet për favorizim kompanish dhe abuzim me fondet publike.
Sipas opozitës, mazhoranca socialiste po përdor Kuvendin si mburojë politike për të penguar drejtësinë, duke refuzuar transparencën dhe duke shmangur ballafaqimin publik me akuzat. Kërkesa e deputetëve opozitarë për paraqitjen e plotë të akuzave dhe dokumentacionit të SPAK në Kuvend është injoruar, duke përshkallëzuar konfliktin institucional.
Belinda Balluku, një nga figurat më të fuqishme të qeverisë dhe aleate e ngushtë e kryeministrit Edi Rama, i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si sulme politike. Megjithatë, për opozitën, çështja nuk është retorikë politike, por provë e kapjes së shtetit, ku pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe mbrojtja politike bashkohen për të bllokuar drejtësinë.
Ngjarjet në Kuvend kanë ngjallur reagime edhe jashtë vendit. Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA dhe OKB, Agim Nesho, ka deklaruar për mediat amerikane se sjellja e mazhorancës përbën një përpjekje të hapur për të sabotuar pavarësinë e drejtësisë, duke e cilësuar situatën si një rast klasik të ‘kapjes së shtetit’.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka zgjedhur të mos reagojë, duke u kufizuar në formulën standarde se nuk komenton çështje juridike në proces.
Për opozitën, përplasjet në Kuvend nuk janë shkaku, por pasoja: pasojë e korrupsionit të dyshuar, e refuzimit për t’u përballur me drejtësinë dhe e përdorimit të institucioneve për të mbrojtur pushtetin, jo ligjin.’







