Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri një sërë deklaratash në lidhje me pasuri, tendera publikë dhe veprimtarinë e institucioneve shtetërore, teksa komentoi zhvillimet e fundit në Parlament dhe situatën politike në vend.
Në takimin e sotëm me aleatët Berisha iu referua seancës parlamentare të një dite më parë, duke thënë se kërkesa për largimin e më shumë se gjysmës së deputetëve lidhet me drejtimin aktual të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe me lidhje të tij me grupe kriminale.
Në vijim, Berisha foli për ngjarje të rënda sigurie, përfshirë episode në Shkodër, duke thënë se persona të dyshuar janë liruar, ndërsa dokumente janë djegur me procesverbal.
Lideri i opozitës shtoi se situata aktuale përfaqëson kushte të papranueshme për funksionimin e shtetit.
Deklarata e plotë:
Ju e patë se çfarë ndodhi dje në parlament.
Dhe tani kërkojnë më shumë se gjysmën e deputetëve nga parlamenti.
Po pse janë kështu?
Sepse ai që drejton grupin parlamentar të PS është një kriminel, më kriminel se Suel Çela, më kriminel se Elvis Doçi, më kriminel se Safet Bajri.
Po pse?
Se ata rrinë në bodrumet e tyre, kurse ky rri në zyrat e qeverisë dhe i mbron ata. Dhe zbaton urdhrat e tyre.
Ua arreston bandat rivale për të marrë votat e tyre.
Shkon liron terroristët në Shkodër, ku mund të kishim me dhjetëra të plagosur dhe të vdekur nga tritoli, në qoftë se tritoli nuk do kishte rënë në tokë.
Dhe të gjitha këto janë të dokumentuara.
I akuzuar për vrasjen e avokatit.
Dhe janë djegur dokumentet, me procesverbal.
A e kuptoni ku jemi or miq?
Në çfarë kushtesh jemi?
Megjithatë është shumë e rëndësishme të ngrihemi në këtë betejë.
Kjo është një diktaturë më e egër se e vitit 1990. Se ato ishin në rënie në formë dominoje.
Kurse kjo ka lobistë të stërfuqishëm.
Ndërkohë interesat e shqiptarëve shkelmohen çdo ditë.
Situatë dramatike.
Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë që në një ndërmarrje private të ketë pasur tre pengmarrje brenda gjashtë muajsh.
Kjo është AKSHI, agjencia shtetërore.
Agjencia shtetërore, në të cilën, për të fituar tenderat kunati i Edi Ramës, dhe për dijeni të qytetarëve, vetëm tenderi për përmirësimin e inteligjencës artificiale, 75 milionë euro. Dhe sot po i japin transhin e fundit 25 milionë euro Armand Frangut, i regjistruar si një njeri që përcakton çdo tender, në fakt edhe me ndihmën e kunatës.
Në regjistrim del edhe me ndihmën e kunatës.
Pra, në këtë sipërmarrje, që është sipërmarrja e dytë më e buxhetuar në momente të caktuara në vend, aty për tenderat rrëmbehen një ish-punonjës dhe dy biznesmenë.
Dhe e mbajnë fshehur, për Gerond Meçen nuk kishte dëgjuar njeri. Erdhi nga Gjermania, se u arratis atje dhe bëri denoncimin.
Duan të mbrojnë me çdo kusht pasuritë e tyre të krimit.
300 apartamente, thonë mediat, ka Belinda Balluku.
Jashtë çdo imagjinate.
Po nëse Belinda ka 300, u garantoj se Rama ka të paktën 1 mijë.
Prandaj është mbushur me kulla.
Dhe thonë nuk shiten kullat.
Po i merrkan qeveritarët kullat.
200 apartamente ajo me paratë e taksapaguesve.
4 milionë euro, i kam të dhënat e fundit direkt shishe vere,70-vjeçare Romanee Conti, të Ergys Agasit.
U garantoj se as në bodrumet e perandorit të Japonisë nuk i gjen ato ashtu.
Jo.
Dhe aty vinoteka e Edi Ramës.







