Masa e zemëruar në Bangladesh i vuri flakën redaksive të dy gazetave më të mëdha në vend, Prothom Alo dhe The Daily Star, ndërsa gazetarët u panë të bllokuar në çatitë e redaksive për gati pesë orë.
Protestat e dhunshme në Dakë u përshkallëzuan sërish pasi nga pasojat e një plage me armë zjarri vdiq Sharif Osman Hadi, një nga udhëheqësit e demonstratave të vitit të kaluar kundër kryeministres së atëhershme Sheikh Hasina.
Që nga rrëzimi i Sheikh Hasinës vitin e kaluar, situata politike në Bangladesh mbetet jashtëzakonisht e tensionuar. Ish‑kryeministrja ndërkohë është strehuar në Nju Delhi të Indisë, gjë që ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet e Bangladeshit me Indinë.
Pas rënies së saj, pushtetin e mori një qeveri e përkohshme, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme janë shpallur për muajin shkurt. Në to kishte ndërmend të merrte pjesë edhe Hadi, i njohur si kritik i hapur i Indisë. Megjithatë, disa ditë më parë, teksa po dilte nga një xhami në Dakë, ndaj tij qëlluan sulmues të maskuar. Ai iu nënshtrua plagëve të enjten në spital, kujton reuters.
Pas lajmit për vdekjen e tij, qindra demonstrues, kryesisht të rinj, dolën në rrugët e kryeqytetit. Një pjesë e tyre hynë me forcë në redaksitë e Prothom Alo dhe The Daily Star, të cilat më pas u plaçkitën dhe u dogjën. Që në mëngjesin e ditës pasuese, kalimtarët mund të shihnin mure të nxira nga zjarri dhe dritare të thyera të ndërtesave që deri atëherë kishin qenë simbole të gazetarisë së vendit.
Sipas gazetarëve lokalë dhe një burimi të paemërtuar nga pushteti, këto redaksi u vunë në shënjestër sepse një pjesë e opinionit publik i percepton si të afërta me Sheikh Hasinën dhe Indinë. Të dyja shtëpitë mediatike i hedhin poshtë këto akuza dhe pohojnë se veprojnë në mënyrë të pavarur. Megjithatë, redaktorët e The Daily Star konfirmuan se gjatë sulmit turma brohoriste parulla si “Delhi puppet” dhe “Sheikh Hasina supporter”.
“Ka pasur më herët sulme sporadike ndaj mediave, por asgjë kaq masive. Kur ndërtesa u dogj, punonjësit që ishin brenda nuk mundën të dilnin. U ngjitën në çati dhe aty mbetën të bllokuar për gati pesë orë. Në tymin e dendur mezi merrnin frymë”, deklaroi redaktori i jashtëm i The Daily Star, Kamal Ahmed, duke shtuar se gazetarët u evakuuan vetëm pas mbërritjes së forcave ushtarake.
Në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, Bangladesh renditet në vendin e 149‑të nga gjithsej 180 vende, vetëm dy vende përpara Indisë fqinje. Gjatë vitit të kaluar, të paktën 1.073 gazetarë janë ekspozuar ndaj sulmeve fizike, kërcënimeve, proceseve gjyqësore, burgosjes, madje edhe vrasjeve ose konfiskimit të pronës.
Dhuna e ripërtërirë e rëndon edhe më tej qeverinë e përkohshme, në krye të së cilës ndodhet fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, Muhammad Yunus.







