Përfaqësues demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së kanë publikuar materiale të tjera nga dosjet e çështjes së financierit të ndjerë dhe trafikantit të njohur të fëmijëve për shfrytëzim seksual, Jeffrey Epstein. Mes tyre është edhe një fotografi e re që tregon ish-ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, sot këshilltar për politikën e jashtme i kryeministrit Robert Fico, së bashku me Epstein-in.
Fotografitë janë bërë publike nga Komiteti i Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i cili ka siguruar mbi 95 mijë fotografi nga prona e Epstein-it. Mes mijëra imazheve të publikuara së fundmi është edhe një foto e bërë në ambasadën sllovake në Vjenë, ku shihen bashkë Lajçak dhe Epstein, raporton Aktuality.sk. Korrespondenca e publikuar më herët mes dy burrave tregonte se ata kishin planifikuar të takoheshin në ambasadë.
Lajçak, i cili ishte ministër i Jashtëm i Sllovakisë në kohën kur është bërë fotografia, ka pranuar se ka komunikuar me Epstein-in, por ka këmbëngulur vazhdimisht se kontakti ishte thjesht shoqëror dhe i lidhur me detyrat e tij diplomatike. Epstein ishte dënuar në vitin 2008 për prostitucion vajzash të mitura dhe kishte vuajtur pak më shumë se një vit burg.
Që kur lidhjet e tij me Epstein-in dolën në dritë, Lajçak i ka dënuar publikisht krimet e Epstein-it. Në nëntor, Fico tha se nuk do ta shkarkonte Lajçakun nga posti i këshilltarit për shkak të këtyre lidhjeve.
Komiteti i Mbikëqyrjes i Dhomës së Përfaqësuesve theksoi se shfaqja në fotografi ose dokumente nuk nënkupton automatikisht fajësi. ‘Do të vazhdojmë të publikojmë fotografi dhe dokumente që populli amerikan t’i shohë vetë informacionet,’ tha kongresisti demokrat Robert Garcia, një nga drejtuesit e komitetit.







