Ballina Aktualitet KLSH: Bashkitë Durrës, Shkodër dhe Pogradec nuk siguruan aksesueshmëri për personat me...

KLSH: Bashkitë Durrës, Shkodër dhe Pogradec nuk siguruan aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara

35
0

Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit vëren pamjaftueshmërinë e masave për plotësimin e nevojave bazike të personave me aftësi të kufizuara nga bashkitë.

Sipas raportit të publikuar, subjektet e audituara: Bashkitë Durrës, Shkodër dhe Pogradec nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për ta përshtatur transportin publik rrugor me nevojat e personave me aftësi të kufizuara.

Në të tria bashkitë evidentohet mungesë interesi nga operatorët ekonomikë për ofrimin e shërbimit, gjë që ka sjellë mbulim të pamjaftueshëm të linjave dhe mospërmbushje të kushteve të licencave. Në Pogradec nuk ofrohet fare transport publik qytetas, por vetëm jashtë qytetit, pa garanci për aksesueshmëri minimale, pasi mungojnë standardet detyruese kombëtare për këtë shërbim.

Në Durrës, ndërhyrjet për aksesueshmëri janë të pjesshme dhe të përqendruara kryesisht në infrastrukturën urbane (rrugë, trotuare, bulevard), jo në mjetet e transportit. Mungojnë sinjalistika zanore në terminal e semaforë, trotuaret jashtë qendrës janë të paarritshme dhe të zëna nga parkimi informal, dhe nuk ka strukturë përgjegjëse në bashki për monitorimin e standardeve.

Në Shkodër, megjithëse ka ndërhyrje urbane me mbështetje donatorësh (rampa dhe akses fizik), ato janë të fragmentuara, të pastandardizuara dhe pa monitorim sistematik. Transporti urban mbetet i paaksesueshëm (pa rampa funksionale, stacione të papërshtatura), mungojnë sinjalet zanore dhe raportimet periodike sipas detyrimeve ligjore.

Ndërhyrjet ekzistuese janë të copëzuara dhe jo pjesë e një strategjie të integruar për aksesueshmëri. Mungesa e planifikimit, strukturave të dedikuara dhe monitorimit të vazhdueshëm bën që bashkitë të mos përmbushin detyrimet ligjore ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Në të tria bashkitë mungon planifikimi i qëndrueshëm, monitorimi sistematik dhe vlerësimi i rezultateve, duke e bërë zbatimin e politikave të aksesueshmërisë të fragmentuar dhe joefektiv.