Më 12 gusht 2025, rrëmbimi i biznesmenit Gerond Mece nuk u krye në errësirë, por nën petkun e autoritetit. Pamjet e siguruara nga VNA dokumentojnë momentin kur autorët, të veshur me uniforma policie dhe të ngjashme me ato të agjentëve të BKH-së, i afrohen viktimës duke përdorur simbolikën e shtetit si mjet frike dhe nënshtrimi.
Mece u mbajt për orë të tëra nën shantazh. Presioni nuk kishte për qëllim grabitjen, por bindjen. Qëllimi ishte i qartë: tërheqja nga ankimimet për tenderat e AKSHI-t. Vetëm pasi hoqi dorë nga procedurat ligjore, biznesmeni u la i lirë, i braktisur në një fshat të qarkut Elbasan.
Sipas hetimeve, urdhri për rrëmbimin erdhi nga grupi kriminal i drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Një rrëmbim i planifikuar për të pastruar garën dhe për të mbyllur gojën e atij që kishte guxuar të kundërshtonte tenderat e AKSHI-t.
Sot, Agasi dhe Beqiri janë në kërkim, ndërsa drejtuesja dhe zëvendësdrejtuesja e AKSHI-t ndodhen nën masën e arrestit në shtëpi.









