Dani Alves pritet të rikthehet në futboll në mënyrën që e ka dashur gjithmonë, duke luajtur.
Ish-lojtari i Barcelonës dhe Juventusit, pas 14 muajsh të kaluar në burg, është gati të nisë një aventurë të re, që do të shënojë edhe një kapitull të ri në fundin e karrierës së tij.
Sipas raportimeve, braziliani pritet të jetë aktiv si futbollist për një periudhë prej gjashtë muajsh, përpara se të kalojë në rolin e drejtuesit të klubit. Alves është në bisedime të avancuara për të blerë, së bashku me një grup investitorësh, ekipin Sao Joao de Ver, që aktualisht renditet në vendin e 10-të në kategorinë e tretë të futbollit portugez.
Në moshën 42-vjeçare, dëshira për të luajtur futboll nuk është shuar, pavarësisht periudhës së vështirë që ka kaluar. Pas akuzave për dhunë seksuale, që çuan në burgosjen e tij, si dhe ndryshimeve të mëdha në jetën personale, përfshirë edhe një rol të ri si predikues, Dani Alves synon një fund ndryshe për karrierën e tij sportive.
Braziliani u shfaq për herë të fundit në fushë në janar të vitit 2023. Pak më pas, ai u arrestua në Spanjë nën akuzat për dhunë seksuale, përfundoi në burg dhe u lirua nga autoritetet spanjolle në mars të këtij viti.
Tashmë, Alves kërkon të hapë një kapitull të ri në futboll, fillimisht për disa muaj si lojtar dhe më pas menjëherë si drejtues klubi.







