Një dron rus ka goditur një tren pasagjerësh në Ukrainën perëndimore, vetëm rreth dy kilometra larg kufirit me Poloninë. Sulmi ka ndodhur pak minuta pasi në të njëjtën linjë hekurudhore kishte kaluar një tren me ish-kryeministrin britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë evropianë.
Sipas raportimeve, nuk pati viktima. Pasagjerët ishin evakuuar në kohë, pasi ishte zbuluar kërcënimi për një sulm të mundshëm. Droni goditi lokomotivën, duke shkaktuar dëme materiale.
Boris Johnson po largohej nga Kievi, ku kishte marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Në të njëjtën linjë udhëtonin edhe zyrtarë të lartë të sigurisë nga vende evropiane, mes tyre këshilltari britanik i Sigurisë Kombëtare, Jonathan Powell, dhe një këshilltar i kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Treni me delegacionin evropian kishte kaluar në zonën e goditur vetëm pak minuta përpara sulmit.







