Mark Viduka, një nga ish sulmuesit më të frikshëm të Premier League dhe ndër ish futbollistët më të mëdhenj në historinë e Australisë, sot jeton larg vëmendjes mediatike, duke drejtuar një kafene së bashku me bashkëshorten e tij.
Gjatë karrierës, Viduka shënoi 92 gola në Premier League në 240 ndeshje me fanellat e Leeds United, Middlesbrough dhe Newcastle, duke u bërë i paharrueshëm veçanërisht për ndeshjen historike ku realizoi katër gola kundër Liverpoolit në vitin 2000.
Ai zhvilloi 43 ndeshje me Australinë, duke qenë edhe kapiten në Kupën e Botës 2006, ku “Socceroos” u eliminuan në 1/8 e finales nga Italia kampione e botës.
Viduka i dha fund karrierës në vitin 2009, pas problemeve të shumta me dëmtimet, me ndeshjen e fundit që përkoi me rënien e Newcastle nga elita angleze.
Megjithatë, ai shprehet krenar për periudhën e tij në klub dhe lidhjen me tifozët.
Sot, në moshën 50-vjeçare, Viduka jeton në Zagreb të Kroacisë, ku menaxhon kafenenë “Non Plus Ultra”, e cila frekuentohet nga vendas, turistë dhe edhe emra të njohur si Goran Ivanisheviq.
I lindur në Australi nga prindër kroatë, Viduka është edhe kushëri i yllit të Milanit, Luka Modriç.
I larguar nga fama, Viduka thotë se nuk ka qenë kurrë i fiksuar pas saj apo pas parave, duke theksuar se gjithmonë ka preferuar të jetë i sinqertë me veten.
Sot, ai gjen kënaqësi në një jetë të thjeshtë, pas një karriere që la gjurmë të mëdha në futbollin anglez dhe ndërkombëtar.







