Historiani dhe njëkohësisht deputeti i Partisë Mundësia, Erlad Kapri, ishte i ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ku foli në lidhje me Krishtlindjet, duke thënë se kjo është festa e parë e dokumentuar në trojet shqiptare.
Ai tregoi një moment të veçantë në kohën e komunizmit, kur në kishën ku mendohet se është martuar Skënderbeu me Donikën, e cila u shkatërrua me dinamit, banorët e fshatit shkonin për Krishtlindje në rrënojat e saj.
“Festa e Krishtlindjes është festa e parë e dokumentuar në trojet shqiptare. Që në shekujt XI dhe XII kemi raportet e Vatikanit apo Venedikut, që e përshkruajnë saktë si festohej Krishtlindja në Shqipëri. Pra, tregon liturgjinë në kishë, ndezjen e qirinjve dhe përgatitjen e bukës. Kjo është një traditë tetëshekullore, e dokumentuar tashmë, që festohet në trojet shqiptare.
Gjatë komunizmit, pastaj, gjenden akte të pabesueshme. Për shembull, në zonën e Vaut të Dejës, kujtoj shumë mirë se u shkatërrua me dinamit kisha e vetme gotike në Shqipëri, Katedralja e Shën Mërisë, e jashtëzakonshme. Aty ku mendohet se është martuar Skënderbeu me Donikën, banorët e fshatit pothuajse çdo Krishtlindje shkonin dhe mblidheshin në rrënojat e kishës dhe festonin Krishtlindjen. Të gjithë shkonin në heshtje, ndërsa autoritetet e partisë tentonin të heshtnin sepse i binte që të fusnin në burg të gjithë fshatin. E kanë bërë, në këtë lloj terrori, kanë gjetur guximin dhe kanë shkuar në rrënojat e katedrales, ku kryenin liturgjinë përkatëse”, tha ai.







