Ballina Aktualitet Dosja “Balluku”, zv.kryeministrja: Kryeministri më kërkoi të takoj biznesmenin Geci

Dosja “Balluku”, zv.kryeministrja: Kryeministri më kërkoi të takoj biznesmenin Geci

67
0

Zbardhet në dosjen hetimore të zv.kryeministres Belinda Balluku një mesazh që implikon në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama.

Në një nga mesazhet dërguar ish-vartësit të saj Evis Berberi, Belinda Balluku e informon këtë të fundit se ka takuar Ramë Gecin me kërkesën e kryeministrit.

Kompania e Ramë Gecit pas këtij takimi rezulton të ketë fituar tender.

Pjesë nga dosja Balluku që SPAK ka dorëzuar në Kuvend ku ka kërkuar autorizim për arrestimin e zv.kryeministres.

Në vijim të hetimit, nga këqyrja e të dhënave të aktit të ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, ka rezultuar komunikimi i datës 24.08.2021, në aplikacionin “Whatsapp”, ku në orën 13:49, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:

“KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”.

Pas këtij mesazhi, në orën 13:51, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhet në aplikacionin “Signal Private Messenger”, me tekst:

“E kishte takuar sot. Të kaloj nga zyra se e takova para një ore në kantier, bëra një xhiro në gjithë unazën”.

Në orën 13:52, Belinda Balluku:

“Jam në shpi peshk me pak fjalë, me një virozë”.

Në orën 13:52, Evis Berberi:

“Obobo”.

Në orën 13:52, Belinda Balluku:

“Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”.

Në orën 13:53, Evis Berberi:

“15 ml, rreth diku te 10 ml euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”.

SPAK sqaron se në lidhje me bisedat e mësipërme, nga hetimi rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 15.09.2021 ka bërë njoftimin për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”.

Në Buletinin nr. 167, datë 22.11.2021, të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se për këtë procedurë prokurimi është publikuar njoftimi mbi vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë, ku ka rezultuar se është kualifikuar oferta e paraqitur nga shoqëria “Geci” sh.p.k.

Referuar të dhënave të sistemit elektronik të prokurimit publik, si rezultat i shpalljes fitues të shoqërisë “Geci” sh.p.k., në këtë procedurë prokurimi, është lidhur kontrata midis Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe shoqërisë “Geci” sh.p.k., me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”.

Nga hetimi rezulton se shoqëria “Geci” sh.p.k. ka si ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Ram Geci.