Nga takimi i radhës i “Foltores” në Manëz, në prani të liderit historik Sali Berisha, Deputetja e PD për qarkun e Durrësit, Manjola Luku, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Luku deklaroi se ciklit të Edi Ramës në pushtet i ka ardhur fundi, duke e cilësuar regjimin e tij si një “narkoregjim” po aq të rrezikshëm sa ai i Putinit.
Gjatë fjalës së saj, deputetja theksoi se rezistenca e demokratëve ka filluar të japë frytet e para dhe se ka nisur “numërimi mbrapsht për Edi Ramën dhe bandën e tij”, duke u shprehur se mjafton të shohësh një kryeministër që fshihet pas fustanit të Belinda Ballukut për të kuptuar fundin e një autokrati pa lavdi.
Sipas saj, ora e Shqipërisë së lirë nga pushteti i Ramës po troket, duke shtuar se edhe bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit po e braktisin atë. U bë një zotim i qartë se në vitin 2026, Rama nuk do të jetë më kryeministër, por përpara se të përballet me drejtësinë, ai duhet të përballet me akuzat e qytetarëve.
Luku akuzoi Ramën për “shpopullimin më masiv që ka njohur vendi”, “shkatërrimin e sistemit shëndetësor” dhe “degradimin e arsimit”. Folësja e mbylli fjalën e saj me një thirrje për betejën finale kundër Edi Ramës, duke deklaruar se vendimi është marrë: “Edi Rama duhet të shkarkohet”.
Luku:
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj, të rinj e të reja të zonës sonë. I nderuar profesor doktor Sali Berisha.
Në emër të elektoratit të kësaj zone, ju falenderoj që ndalesën e radhës vendoset ta bëni sot në Manëz.
Sot jemi dëshmitarë se sa e nevojshme ishte jo vetëm për Partinë Demokratike, por për vetë Shqipërinë, një foltore e re. Jo një foltore për një parti, por një foltore për Shqipërinë. Demokratët e kësaj zone meritojnë mirënjohjen tonë të plotë për rezistencën që treguan dhe për fisnikërinë që vulosën me votë më 11 maj, ndaj vlerave më të mira që përfaqëson partia jonë.
Ju doktor, e dini po aq mirë sa ne se me çfarë presioni, shantazhi e deri te dhuna u përmballën nga narkopartia që kemi përballë. Por rezistenca juaj si lider ishte frymëzimi ynë. Betejat tuaja të drejta u bënë udhërrëfyesi i ndërgjegjes sonë politike.
Të nderuar miq, lajmi i mirë është se ciklit të Edi Ramës në pushtet i ka ardhur fundi. Narkoregjimi i tij është plot një problem madhor i trajtuar nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po aq i rrezikshëm sa regjimi i i Putinit.
Zëri i doktor Berishës dhe qëndresa jonë kanë dhënë frytet e veta. Ajo që më 11 maj dukej si disfatë, sot është dita kur nisi numërimi mbrapsht për Edi Ramën dhe bandën e tij. Mjafton të shikoni një kryeministër që fshihet pas fustanit të Belinda Ballukut për të kuptuar fundin e një autokrati pa lavdi.
Ora e Shqipërisë së lirë, ora e Shqipërisë së lirë nga pushteti i Edi Ramës po troket. Ne që nuk u trembëm më 11 maj, nuk mund të trembemi sot nga një fantazmë politike si Edi Rama. A nuk jemi dëshmitarë se edhe bashkëpunëtorët e tij po e braktisin?
Edi Rama e zëvendësoi korrupsionin me vjedhjen. Dhe për këtë ne duhet të zotohemi se në vitin 2026, ai nuk do të jetë më kryeministër. Para se të përballet me drejtësinë, ai duhet të përballet me akuzat e qytetarëve.
Sot, ne e akuzojmë Edi Ramën për shpopullimin më masiv që ka njohur kjo tokë. E akuzojmë për shkatërrimin e sistemit shëndetësor. E akuzojmë për degradimin e e arsimit. E akuzojmë sepse ai i ka bërë Shqipërisë atë që pushtuesit më mizorë nuk ja kanë bërë kurrë.
Prandaj, të nderuar miq, si një ogur i mirë pas Krishtlindjes, le ta shohim këtë aksion politik si thirrjen për betejën finale kundër armikut më të egër të Partisë Demokratike dhe Shqipërisë, Edi Rama.
Doktor Berisha, ne që jemi sot këtu, qytetarë të lirë të këtij vendi, e kemi marrë vendimin tonë. Edi Rama duhet të shkarkohet! Të gjithë bashkë, të gjithë të vendosur, ju e dini rrugën. Fitore!
Ju falenderoj të gjithëve dhe më keni bërë surprizë shumë të madhe.







