Nga Basir Çollaku
Meret peng e dhunohet oficeri i karrierës së Shërbimit Informativ Kombëtar, në një qark të rëndësishëm në jug të vendit. Jo më tepër se katër apo pesë muaj. Shitja te Krimi i Organizuar, bëhet nga eprorët dhe kolegët. Interesat i dinë ata.
Krimi, mafia dhe pushteti, është thuajse e pamundur t’i ndash ku nis njëri dhe ku mbaron tjetri. Ata ndajnë prej vitesh fatkeqësisht zyrë të njëjtë, atë publike. Oficeri kishte punuar një periudhë të konsiderueshme duke identifikuar e gjurmuar aktivitetin e paligjshëm të grupeve kriminale, të trafiqeve të shumëllojshme. Pasi ka grumbulluar informacion shumë të vlefshëm për hetimin, si indicie serioze me emra dhe fakte bindëse, ka përpunuar një relacion për zyrën e tij. Ka bërë gati materialin informues dhe e ka hedhur në sistem, që më pas eprorët ta vlerësonin për kallzim në Prokurorinë përkatëse, sipas veprës dhe personave të përfshirë dhe të dyshuar, se e kanë konsumuar atë. Me bindje profesionale ka shpresuar se ngjarja do të investigohej dhe elementët e krimit të organizuar do të përballeshin me drejtësinë.
Ka qenë një iluzion fatkeq dhe me pasoja për zyrtarin e shërbimit. Pak kohë pasi ka përcjellë të dhënat në sistem dhe ka dalë nga zyra personat e denoncuar, i kanë zënë pritë dhe e kanë marrë peng. E kanë çuar në një zonë periferike larg vëmendjes së vëzhgimit të mundshëm dhe e kanë rrahur e torturuar. Më pas e kanë braktisur duke e zhveshur dhe lënë rrugëve. Ka mbetur i tronditur nga pabesia institucionale, pasi nuk besonte se kolegët e kishin shitur te bandat e trafikantët. Drejtori i qarkut përkatës dhe drejtori i përgjithshën mund të kishin të drejtë dhe akses të lexonin e merrnin dijeni për materialin. Gjendur në një rrethanë të tillë ai ka denoncuar në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm. Por duket se edhe atje, zvarritjet dhe ndikimet kanë bërë punën e vet. Nga ana tjetër, eprori kërkon që ngjarja të mos bëhet publike. Duket se ai nuk është në anën e agjentit denoncues. As titullarja e institucionit. Pasi është e vështirë të mbetet sekret, një informacion i hedhur zyrtarisht brenda sistemit të shërbimit. Së paku deri tani..







