Ballina Rajoni Serbia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak/ Ministria e Mbrojtjes: Të rinjtë 18–30...

Serbia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak/ Ministria e Mbrojtjes: Të rinjtë 18–30 vjeç stërvitje për..

21
0

Serbia po përgatitet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak pas më shumë se një dekade, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcave të Armatosura.

Shërbimit të detyrueshëm ushtarak do t’i nënshtrohen burrat e moshës 18 deri në 30 vjeç, ndërsa ky shërbim do të mbetet vullnetar për gratë. Ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gašić, ka deklaruar se afati stërvitor për rekrutët do të jetë 75 ditë.

“Është bërë gjithçka e nevojshme që ne të mund të kthejmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kemi bërë analiza dhe teste të panumërta, duke filluar me kohën optimale që këta të rinj të marrin trajnim bazë ushtarak”, tha Bratislav Gašić.

Gašić theksoi se ata që do ta kryejnë këtë shërbim do të paguhen.

“Sigurisht që do të jetë ndryshe nga më parë, pasi ata do të marrin një pagë duke shërbyer në ushtrinë serbe. Është planifikuar që 60 ditët e para ata do të flenë në kazermë dhe 15 ditë do të jenë në pozicione kampi në strukturën e stërvitjes. Nga viti 2000 deri në vitin 2012, Ushtria Serbe u reduktua në nivelin e mbrojtjes civile, me vetëm 3 mijë e 500 burra, pa aviacion dhe me depo bosh”, vazhdoi ai.

Gašić kujtoi se që nga viti 2012 janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të rindërtuar infrastrukturën dhe pajisjet, gjë që është thelbësore për sigurinë e Forcave të Armatosura Serbe.

Ministri Gašić vlerësoi edhe përmirësimin e statusit të ushtarëve profesionistë.

“Do të doja të mburrem edhe për 10 mijë ushtarët që janë me kontratë, pasi atyre u është dhënë mundësia të kenë një kontratë të përhershme dhe të presin atje daljen në pension.

Më parë, kontratat zgjateshin çdo tre vjet, duke çuar në humbjen e stafit të trajnuar në moshën 53 vjeç. Tani, ata mund të qëndrojnë në ushtri deri në pension, burrat deri në 65 vjeç, gratë deri në 63 vjeç”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Gašić e përshkroi vitin 2025 si të vështirë, por jashtëzakonisht të suksesshëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë Serbe.