Hetimet e SPAK për tenderët e Unazës së Madhe kanë zbardhur detaje të reja mbi mënyrën se si është përzgjedhur fituesi i lotit 4.
Sipas dosjes hetimore, biznesmeni Ilir Shtufi, pronar i kompanisë “Nova Construction 2012”, ka deklaruar se vendimi për t’u bërë pjesë e garës u mor vetëm pasi u takua me Evis Berberin, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Shtufi ka treguar se fillimisht nuk kishte dakordësi për bashkëpunim me kompaninë “Euroteorema Peqin”, por pas takimit me Berberin, vendosi të hynte në ortakëri me këtë kompani.
Në dosjen e dytë hetimore ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku është zbardhur edhe komunikimi mes Berberit dhe Shtufit. Sipas materialeve që qarkulluan në media bëhet fjalë për mesazhe të shkëmbyera pak ditë para zhvillimit të procedurës së tenderimit për lotin 4 të Unazës së Madhe.
Nga akti i ekspertimit informatik rezulton se, pas komunikimeve mes Ballukut dhe Berberit, ky i fundit ka kontaktuar Shtufin për një takim. Në një nga mesazhet, Shtufi i shkruan Berberit:
“Përshëndetje, si ke qenë… Ilir Shtufi, Nova jam. Të takoj pak kur të mundesh.”
Sipas dosjes, takimi është zhvilluar brenda së njëjtës ditë dhe më pas Berberi ka njoftuar Ballukun se takimi ishte realizuar, duke i shkruar:
SPAK vlerëson se këto komunikime tregojnë ndërhyrje në procesin e tenderimit dhe ndikim në përzgjedhjen e fituesit të lotit 4.
Zv/kryeministrja Belinda Balluku akuzohet për paracaktim të fituesve në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, si edhe për shkelje në procedurat e lidhura me dosjen e Unazës së Madhe.
Më 31 tetor, SPAK e mori zyrtarisht të pandehur, ndërsa pak ditë më parë ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e saj.







