Ballina Ekonomia Familjet shqiptare do të kursejnë deri në 9.2 milionë euro në vit...

Familjet shqiptare do të kursejnë deri në 9.2 milionë euro në vit përmes transfertave të remitancave me SEPA

18
0

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të integrimit financiar evropian me operacionalizimin e plotë të anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), një zhvillim që pritet të prodhojë përfitime të drejtpërdrejta dhe afatgjata për ekonominë, bizneset dhe qytetarët. Sipas një studimi të detajuar të German Economic Team (GET), anëtarësimi në SEPA mund t’i kursejë ekonomisë shqiptare deri në 71.3 milionë euro në vit në terma afatgjatë, kryesisht nga ulja e kostove të pagesave për tregtinë e jashtme dhe remitancat.

Shqipëria përfundoi reformat ligjore dhe teknike të kërkuara gjatë viteve 2023–2024, aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në qershor 2024 dhe u pranua në hapësirën gjeografike SEPA në nëntor të po atij viti. Më 7 tetor 2025, Banka e Shqipërisë konfirmoi realizimin e transaksionit të parë në euro përmes SEPA, duke shënuar funksionimin praktik të sistemit në vend.

Sipas vlerësimeve të GET, përfitimi më i madh ekonomik lidhet me pagesat e tregtisë së jashtme. Në vitin 2024, volumi i pagesave tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve aktuale apo të ardhshme të SEPA-s arriti në rreth 15.2 miliardë euro. Aktualisht, këto pagesa shoqërohen me kosto relativisht të larta bankare, të cilat në terma mesatarë vlerësohen rreth 0.44 për qind të vlerës së transaksionit. Me integrimin e plotë në SEPA dhe funksionimin e konkurrencës mes ofruesve të shërbimeve të pagesave, këto kosto pritet të bien në rreth 0.03 për qind, duke gjeneruar kursime vjetore deri në 62.1 milionë euro vetëm nga tregtia e jashtme. Një pjesë e këtyre kursimeve përfitohen drejtpërdrejt nga bizneset shqiptare, ndërsa pjesa tjetër nga partnerët tregtarë në vendet e BE-së dhe rajonit, çka rrit konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në tërësi.

Një tjetër kanal i rëndësishëm përfitimi janë remitancat. Shqipëria përfiton çdo vit rreth 1.7 miliardë euro nga diaspora, ku një pjesë e konsiderueshme vjen nga vendet e BE-së, veçanërisht Italia dhe Greqia. Edhe pse një pjesë e madhe e remitancave vijon të hyjë në vend në formë cash, pagesat elektronike përmes kanaleve bankare mbeten të kushtueshme. Studimi vlerëson se, para SEPA-s, kostoja mesatare e dërgimit të parave nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë ishte rreth 2.27 për qind, ndërsa pas integrimit në SEPA kjo kosto mund të ulet në rreth 0.67 për qind. Në terma absolutë, kjo përkthehet në kursime vjetore rreth 9.2 milionë euro, një shifër më e ulët krahasuar me tregtinë e jashtme, por me rëndësi të madhe sociale për familjet që varen nga remitancat.

Përtej shifrave të drejtpërdrejta, anëtarësimi në SEPA sjell edhe përfitime strukturore për ekonominë shqiptare. Ulja e kostove të pagesave dhe rritja e konkurrencës në tregun e shërbimeve financiare pritet të nxisë përdorimin e pagesave elektronike, duke reduktuar përdorimin e cash-it, rritur transparencën financiare dhe kontribuar në uljen e informalitetit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një ekonomi si ajo shqiptare, ku pagesat në para fizike vijojnë të zënë një peshë të lartë.