Që pas divorcit me Princ Lekën, jeta e Elia Zaharias ndryshoi totalisht. Dikur me titullin princeshë, tashmë ajo i është rikthyer aktrimit, ku veç pasionit, tashmë e ka edhe profesion. Por, ndryshe nga më parë, tashmë aktoren e ndeshim edhe më shpesh në rrugët e Tiranës, ku, larg shkëlqimit prej princeshe, zgjedh të bëjë një jetë modeste.
Paparaci ka mundur ta fotografojë në një ditë të zakonshme, ku Elia ka qenë në shoqëri të babait të saj, Gjergj Zaharia. Si gjithnjë, Gjergji ka qenë me biçikletën e tij.
Sakaq, Elia ishte e veshur thjeshtë, me një xhup të gjatë si dhe pantallona me ngjyrë të çelët. Veshje kjo, që edhe herë të tjera kemi mundur t’ia shohim. Një detaj që na bëri jo pak përshtypje ishte edhe momenti ku ajo nxjerr nga portofoli i saj një monedhë lekësh dhe ia jep babait të saj. Nuk e dimë se për çfarë kanë qenë këto para, por duke marrë parasysh vlerën e vogël, nuk mund të themi që nuk na bëri përshtypje.
Kujtojmë që pas divorcit, Elia është gjithnjë me prindërit e saj. Herë me Yllkën e herë me Gjergjin. E me gjasë, ndonëse shumë pranë prindërve, disa hesape parash i paskan të ndara.
Aktorja e njohur Elia Zaharia ka folur pak kohë më parë për jetën e saj të re, karrierën dhe angazhimet e saj pas divorcit me Princ Lekën. Duke mos dashur të japë detaje lidhur me situatën, Elia tha se ndihet shumë me fat për mbështetjen e pakushtëzuar që ka marrë dhe merr nga familja e saj në çdo hap të jetës.
Nga rrëfimi i saj, ajo duket se ka marrë veten nga periudha e vështirë e divorcit dhe se tashmë prioritet për të është lumturia e vajzës së saj, Geraldinës.
“Ka qenë një periudhë komplekse, por unë falënderoj Zotin çdo ditë për atë mbështetje që më ka dhënë familja ime, rrethi im. Unë jam shumë me fat, sepse prindërit e mi, familja ime, nuk janë vetëm familja ime, por janë edhe miqtë e mi më të mirë, me të cilët unë mund të ndaj çdo gjë, gjërat e mira, gjërat e gëzuara. Them: O Zot, duhet që t’i falënderojmë dhe t’i duam prindërit për aq kohë sa janë. Tashmë ajo që ka rëndësi dhe që për mua është prioritet, është mirëqenia e vajzës sime. Unë dua që ajo të ndihet ngrohtë shpirtërisht dhe të marrë dashuri nga të dyja krahët. Për mua kjo është e vetmja gjë që vlen”, tha Elia Zaharia.
Kujtojmë se pas ndarjes konfliktuale nga Princ Leka, një tjetër episod që shkaktoi shumë zhurmë ishte edhe përplasja fizike që ajo dhe babai i saj patën me Princ Lekën.
Elia Zaharia dhe Princ Leka, të cilët janë pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj njëri-tjetrit, konfirmuan më 15 janar 2024 se kishin nisur procedurat e divorcit, pas disa muajsh thashetheme se i kishin dhënë fund martesës.
Ndërkohë, më 5 mars të vitit të kaluar, çifti u përplas fizikisht me njëri-tjetrin brenda rezidencës mbretërore, sherr ku u përfshi edhe babai i Elia Zaharias, Gjergj Zaharia, pamje që u bënë edhe virale në media. Princ Leka hodhi në gjyq ish-bashkëshorten, me të cilën ka një vajzë, Geraldinën, dhe ish-vjehrrin.







