Pas pothuajse 30 ditësh mobilizimesh të pandërprera, fronti i fermerëve në Greqi shfaq shenjat e para të përçarjes. Për herë të parë, disa blloqe deklarojnë hapur gatishmërinë për dialog me qeverinë, duke thyer unitetin që kishte karakterizuar lëvizjen deri më tani.
Mbetet për t’u parë se sa e thellë do të jetë kjo çarje, pasi në njoftimin fillestar për dialog mungojnë firmat e përfaqësuesve zyrtarë të blloqeve, gjë që ngre pikëpyetje mbi përfaqësimin real të këtij qëndrimi. Pyetja kryesore është pse ky ndryshim qëndrimi ndodhi pikërisht tani.
Sipas burimeve nga lëvizja e fermerëve, veçanërisht pas refuzimit të dytë të thirrjes për takim nga ana e Maximos, një pjesë e fermerëve kryesisht nga blloqet e krahut të djathtë shprehën shqetësimin se mungesa e dialogut po zbeh vrullin e protestës. Të tjerë, më të ashpër, argumentojnë se presioni i vazhdueshëm mbi qeverinë do të sjellë rezultate.
Megjithatë, një gjë është debati i brendshëm dhe tjetër fakti që 18 blloqe kanë bërë publike diferencimet e tyre, duke nxitur reagime të forta brenda Komitetit Panhelenik të Blloqeve.
Nga selia e Komitetit Panhelenik të Blloqeve në Nikea, drejtuesit shprehen të habitur pse blloqet që sot distancohen, morën pjesë normalisht në mbledhjet e para panhelenike, pranuan kornizën e kërkesave dhe vijuan të marrin pjesë në takimet e komitetit.
Disa përfaqësues kanë përdorur gjuhë të ashpër, duke i quajtur ata që diferencohen si “goblinë të lëvizjes bujqësore” apo si persona të afërt me qeverinë që veprojnë për përfitime personale akuza që vijnë pas gati një muaji protestash të përbashkëta.
Nga ana tjetër, fermerët që mbështesin dialogun kundërshtojnë këto pretendime, duke deklaruar se kanë marrë pjesë në takime si vëzhgues dhe jo si anëtarë të Komitetit Panhelenik. Kjo ka shkaktuar reagime ironike nga drejtuesit e protestës, të cilët pyesin se kë përfaqësojnë realisht këta “vëzhgues” në një tryezë dialogu.
Pavarësisht përçarjeve, selia qendrore e Komitetit në Nikea vlerëson se kjo tendencë nuk do të ndikojë në planin për përshkallëzim të protestave pas Vitit të Ri. Një takim mbarëkombëtar pritet të mbahet të shtunën e ardhshme, më 3 janar, ku do të vendosen hapat e radhës.
Deri atëherë, protestat do të vijojnë me hapje të përkohshme tarifash dhe bllokime simbolike të rrugëve anësore, ndërsa pas festave parashikohet rikthimi i masave të plota të bllokadave në rrjetin kombëtar rrugor.
Pyetja kryesore mbetet qëndrimi që do të mbajë qeveria pas festave, në një kohë kur bllokadat vazhdojnë dhe presioni social rritet. Ky faktor pritet të jetë vendimtar për realizimin ose jo të një takimi mes palëve.
Në deklaratën e lëshuar pas takimit në Epanomi, fermerët theksuan se problemet e tyre nuk prekin vetëm sektorin bujqësor, por tërë shoqërinë greke, duke kërkuar që ato të diskutohen menjëherë në tryezën e dialogut. Ata nënvizuan nevojën për një dialog të frytshëm, duke hedhur poshtë, metodat dhe qëllimet e qeverisë.







