Ka polemika në rritje mbi provat e fundit që sugjerojnë se një forcë misterioze e njohur si energjia e errët, mund të jetë duke ndryshuar në një mënyrë që sfidon kuptimin tonë aktual të kohës dhe hapësirës.
Një analizë nga një ekip i Koresë së Jugut ka lënë të kuptohet se, në vend që Universi të vazhdojë të zgjerohet, galaktikat mund të tërhiqen përsëri nga graviteti, duke përfunduar në atë që astronomët e quajnë një “Përplasja e Madhe”.
Shkencëtarët e përfshirë, besojnë se mund të jenë në prag të njërit prej zbulimeve më të mëdha në astronomi prej një brezi.
Astronomë të tjerë i kanë vënë në pikëpyetje këto gjetje, por këta kritikë nuk kanë qenë në gjendje t’i hedhin poshtë plotësisht pohimet e ekipit të Koresë së Jugut.
Çfarë është energjia e errët?
Më parë, astronomët mendonin se zgjerimi i Universit, i cili filloi me Big Bang rreth 13.8 miliardë vjet më parë, duhet të ngadalësohej gradualisht për shkak të gravitetit.
Më pas, në vitin 1998, u zbuluan prova për energjinë e errët, si një forcë që përshpejtonte zgjerimin e Universit. Studimet e yjeve shumë të ndritshëm që shpërthenin, të quajtur supernova, treguan se në vend që të ngadalësoheshin, galaktikat e largëta në fakt po përshpejtoheshin duke u larguar nga njëra-tjetra.
Disa teori sugjeruan që ky Univers, me shpejtësi gjithnjë e më të madhe, mund t’i përhapte fillimisht yjet aq larg njëri-tjetrit, saqë pothuajse asgjë nuk do të ishte e dukshme në qiellin e natës dhe, më tronditëse, përfundimisht mund të shqyente edhe vetë atomet në një “Çarje të Madhe”.
Përfundimisht, disa astronomë menduan se zgjerimi do të ngadalësohej nën forcën e gravitetit dhe më pas do të shembej ngadalë mbi vetveten, diçka që ata e quajtën Përplasja e Madhe.
Rezultatet paraprake të këtij viti tani e mbështesin këtë teori.
Polemika filloi në mars me rezultate të papritura nga një instrument në një teleskop në shkretëtirën e Arizonës, i quajtur Instrumenti Spektroskopik i Energjisë së Errët (Desi).
Desi u ndërtua për të zbuluar më shumë rreth energjisë së errët. Ai gjurmoi përshpejtimin e miliona galaktikave me detaje të shkëlqyera, por astronomët nuk i prisnin rezultatet që doli.
Të dhënat linin të kuptohej se përshpejtimi i galaktikave kishte ndryshuar me kalimin e kohës, diçka që nuk ishte në përputhje me pamjen standarde, sipas Prof Ofer Lehav të University College London, i cili është i përfshirë në projektin Desi.
“Tani, me këtë energji të errët në ndryshim që shkon lart e poshtë, përsëri, na duhet një mekanizëm i ri. Dhe kjo mund të jetë një tronditje për të gjithë fizikën”, thotë ai.
Pastaj, në nëntor, Shoqëria Mbretërore Astronomike (RAS) publikoi një hulumtim nga një ekip i Koresë së Jugut, që duket se mbështet pikëpamjen se çuditshmëria e energjisë së errët është edhe më e çuditshme.
Profesori Young Wook Lee i Universitetit Yonsei në Seul dhe ekipi i tij u rikthyen te lloji i të dhënave të supernovave, që zbuluan për herë të parë energjinë e errët 27 vjet më parë. Në vend që t’i trajtonin këto shpërthime yjore si të kishin një shkëlqim standard, ata i përshtatën ato sipas moshave të galaktikave nga vinin dhe përcaktuan se sa të ndritshme ishin në të vërtetë supernovat.
Ky rregullim tregoi se jo vetëm që energjia e errët kishte ndryshuar me kalimin e kohës, por, çuditërisht, se përshpejtimi po ngadalësohej.
“Fati i Universit do të ndryshojë”, thotë Prof Lee për BBC News me bindje të prerë.
“Nëse energjia e errët nuk është konstante dhe po dobësohet, kjo do të ndryshojë të gjithë paradigmën e kozmologjisë moderne.”
Nëse, siç sugjerojnë rezultatet e Prof. Lee, forca që po i largon galaktikat nga njëra-tjetra – energjia e errët – po dobësohet, atëherë një mundësi është që ajo të bëhet aq e dobët sa graviteti të fillojë t’i tërheqë galaktikat përsëri së bashku.
“Në vend që të përfundojë me një Rip të Madh, një Përplasje e Madhe është tani një mundësi.
“Se cili rezultat fiton, varet nga natyra e vërtetë e energjisë së errët, për të cilën ende nuk e dimë përgjigjen”, thotë Prof Lee.
Puna e Prof. Lee është kontrolluar nga ekspertë të tjerë dhe është botuar në një revistë të respektuar të RAS. Por pretendimet e tij nuk janë pritur aspak mirë nga shumë astronomë të lartë që punojnë në këtë fushë, siç është Prof. George Efstathiou i Institutit të Astronomisë në Universitetin e Kembrixhit.
“Mendoj se kjo thjesht pasqyron detajet e çrregullta të supernovave”, thotë ai. “Korrelacioni me moshën nuk është shumë i ngushtë, kështu që mendoj se është e rrezikshme të aplikohet një ‘korrigjim’. Më duket i dobët.”
Pikëpamja kryesore është se Universi është ende duke u përshpejtuar me energji të errët pothuajse të pandryshueshme.
Por Prof. Lee i kundërshton me forcë kritikat e tilla.
“Të dhënat tona bazohen në 300 galaktika. Rëndësia statistikore është afërsisht një në një trilion shanse të jetë rastësi. Pra, unë besoj fuqimisht se hulumtimi ynë është shumë, shumë domethënës.”
Që nga rezultatet e Koresë së Jugut, dy ekipe kanë rivlerësuar shkëlqimin e disa prej supernovave. Ata shqyrtuan një studim të mëparshëm që u bashkua me rezultatet e Desi të marsit, të cilat filluan gjithë këtë rrëmujë. Ata e bënë këtë për të verifikuar dy herë rezultatet e marsit, sepse pretendimi se energjia e errët po ndryshonte, ishte shumë i diskutueshëm.
Të dyja ekipet janë tërhequr pak nga aludimet origjinale, por aludimet nuk janë zhdukur, edhe pas një shqyrtimi të gjerë.
Si pasojë, do të vazhdojë të ketë debate të zjarrta, ndonjëherë të ashpra, nëse kozmosi po na pëshpërit butësisht për natyrën e tij të vërtetë, apo nëse astronomët po ndjekin fantazma qiellore.
Qindra punime shkencore janë botuar mbi këtë temë dhe astronomët janë të ndarë në mendime se çfarë mendojnë se është shpjegimi më i mirë. Kjo nuk është gjë e keqe, sipas Prof. Robert Massey, i cili është Zëvendësdrejtor i RAS.
«Kush nuk do të donte të kuptonte se si do të mbarojë dhe si filloi universi?» thotë ai. «Qeniet njerëzore gjithmonë kanë qenë të interesuara për këtë, qoftë nga një perspektivë fetare apo shkencore.
“Të jesh në gjendje të mendosh, në rregull, kështu do të përfundojnë gjërat pas shumë, shumë miliarda vitesh, a nuk do të ishte e jashtëzakonshme?”







