Ballina Opinion Rrugë që nuk vijnë kurrë

Rrugë që nuk vijnë kurrë

0
27

Nga Klevis Bakillari

Edhe një vit tjetër deri në Tomorricë?
Pyetja që rëndon si faj politik mbi PS dhe një emergjencë infrastrukturore e vonuar.
Tomorrica nuk është thjeshtë një krahinë e harruar në hartën administrative të Shqipërisë. Është truall historie, sakrifice dhe identiteti, një hapësirë ku natyra dhe shpirti shqiptar janë lidhur në mënyrë organike me malin e shenjtë të Tomorrit. E megjithatë, sot Tomorrica gjendet shumë e izoluar, shumë e braktisur dhe dhumë e përdorur politikisht vetëm në fushata!
Në qendër të këtij realiteti qëndron sigurisht vetëm Partia Socialiste.
Është e papranueshme që një zonë me këtë peshë historike dhe simbolike të trajtohet sot si një fund rruge, pa rrugë.
Ka potenciale natyrore dhe shpirtërore të pashfrytëzuara.
Mali i Tomorrit nuk është vetëm një destinacion turistik. Ai është simbol shpirtëror, mitologjik dhe fetar, i njohur ndër breza dhe komunitete. Tomorrica ka peizazhe alpine unike,
burime ujore,tradita kulturore e mikpritëse,potencial për turizëm malor, fetar dhe ekologjik.
Por pa rrugë, asnjë potencial nuk zhvillohet. Turizmi nuk ecën mbi lutje politike, por mbi asfalt, ura dhe lidhje funksionale.
Emergjenca infrastrukturore: rrugë që nuk vijnë kurrë!
Lidhja rrugore:
Tomorricë – Gramsh
Tomorricë – Moglicë
nuk është luks. Është domosdoshmëri jetike.
Çdo vit që kalon pa këto investime është një vit i humbur, një premtim i thyer dhe një përgjegjësi politike e pambajtur e Deputetëve jo vetëm të Skraparit, por edhe të Qarkut Berat.
Tomorrica ka nevojë për avokat politik, jo për menaxher pritjeje.
Edhe një vit tjetër deri në Tomorricë?
Kjo pyetje nuk është retorike. Është akuzë morale dhe politike. Sa vite të tjera do të presë Tomorrica? Sa banorë të tjerë do të largohen? Sa mundësi do të humbasin?
Tomorrica nuk kërkon lëmoshë. Kërkon drejtësi!Kujtesë!
Nëse nuk veprohet sot, nesër nuk do të ketë më kë të lidhësh me rrugë.