Me një mesazh falënderues u është drejtuar Albin Kurti të gjithë votuesve të partisë së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën dje në Kosovë, dhe që i dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën.
Kurti tha se puna vazhdon, dhe premtoi se siguria e begatia do të shtohen.
“Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë.
Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. Dhe, u angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj.
Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike.
Puna vazhdon, siguria e begatia do të shtohen. Na priftë e mbara!”, shkruan Kurti.







