Ish-zv, kryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë i Partisë Socialiste, Zyhdi Pepa është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare. Ishte kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili dha lajmin nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i shpreha sot ngushëllimet familjes së shokut dhe profesorit tonë Zyhdi Pepa, i cili u nda nga jeta.
Zyhdi Pepa ka përfaqësuar Partinë Socialiste si deputet në dy legjislatura, gjithashtu ka qenë Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Bujqësisë. U prehsh në paqe Profesor”, shkruan Balla.
Zyhdi Pepa ka shërbyer si ministër i Bujqësisë gjatë viteve 1991–1992, në një kohë kur bujqësia përbënte një nga sektorët më të ndjeshëm dhe jetikë të ekonomisë shqiptare. Mandati i tij përkoi me proceset e para të reformimit ekonomik, privatizimit të tokës dhe riorganizimit të institucioneve shtetërore pas rënies së regjimit komunist.
Në të njëjtën periudhë, Pepa ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryeministrit, duke qenë pjesë e qeverisë së stabilitetit që kishte për detyrë menaxhimin e tranzicionit politik dhe institucional të vendit.
Qeveria ku ai mori pjesë ishte e përbërë nga përfaqësues të spektrit të ndryshëm politik dhe synonte garantimin e rendit, reformave bazë dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira. Ai ka ushtruar detyrën si zv.kryeministër dhe ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ylli Bufit dhe më pas te Vilson Ahmeti.







