Ballina Ekonomia Kush merr mbi 40 mijë lekë në muaj nuk përfiton nga rritja...

Kush merr mbi 40 mijë lekë në muaj nuk përfiton nga rritja e pensioneve

55
0

Pensionistët kanë nisur të marrin bonusin e tyre mujor paralelisht me pagesën e tyre. Por jo të gjithë po përfitojnë aq sa kanë pritur për shkak të tavaneve të caktuara nga qeveria. Ata që marrin mbi 40 mijë lekë nuk përfitojnë asnjë shtesë, kurse kategoritë e tjera duhet që edhe me bonusin mos të tejkalojnë limitet.

Më 4 nëntor 2025 kryeministri Edi Rama njoftoi shtesat mbi pensionet, që do të aplikohen për tre vitet e ardhshme. Por ndryshe nga tradita e shpërblimeve një herë në vit, këtë herë bonusi shpërndahet përgjatë 12 muajve.

Vendimi, i miratuar në 30 dhjetor, zbuloi një sërë kufizimesh për përfitimin e bonuseve.  Kush ka një pension mbi 40 mijë lekë nuk do të ketë asnjë qindarkë shtesë. Bëhet fjalë për afro 36 mijë pensionistë.

Bonusin 1800 lekë në muaj do ta marrin vetëm ata që kanë pension deri në 40 mijë lekë, ku përfshihen pensionet urbane të plota, nënat me shumë fëmijë, dhe ata që marrin pension për profesion të vështirë si minator, naftëtar apo metalurg.

Kategoria e dytë me 800 lekë bonus në muaj, përfitohet nga ata që kanë të pension deri në 22 mijë lekë, ku bëjnë pjesë pensionet e pjesshme urbane apo pensionet sociale që përfitohen pasi mbushet mosha 70 vjeç.

1 mijë lekë do të marrin ata me pension deri në 18 mijë lekë, ku futen pensionet rurale, kurse ata që do të përfitojnë 600 lekë ose pensionet familjare nuk duhet të kenë të ardhura mbi 30 mijë lekë, si dhe grupi i fundit i përfituesve, ata me pension invaliditeti duhet të kenë deri 18 mijë lekë pension që të marrin shpërblimin mujor 700 lekë.

Nga ana tjetër, këto tavane, për përfitimin e bonusit, përbëjnë një kufizim më vete, për ata që kanë pensione në vlera të afërta me tavanet. Këta pensionistë nuk do e marrin të plotë kompensimin mujor. Për shembull, nëse një qytetar ka pension 39 mijë lekë, e për pasojë do duhet të ishte përfitues i bonusit 1800 lekë në muaj, ai në të vërtetë, do të marrë vetëm 1 mijë lekë nga bonusi, në mënyrë që të mos kalojë tavanin prej 40 mijë lekësh. E po kështu dhe për rastet e ngjashme me tavanet e tjera.

Përfitues të këtyre bonuseve do të jenë edhe ata qytetarët të cilët lidhin pensionin gjatë këtij viti, sërish me kusht që mos kalojnë tavanet e caktuara në këtë vendim.