Intervistë me Anke Weber, shefe e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë
Ekonomia shqiptare po rritet me ritme të shpejta krahasuar me vendet e tjera të Europës, por përballë kësaj ecurie pozitive po kristalizohen rreziqe strukturore që mund të frenojnë zhvillimin afatgjatë.
Në këtë intervistë, Anke Weber, shefe e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, paralajmëron se tkurrja e popullsisë në moshë pune dhe prirjet e forta për emigrim po kthehen në një nga sfidat më serioze për rritjen dhe produktivitetin.
Njëkohësisht, FMN shpreh shqetësime për paketën fiskale të vitit 2026, veçanërisht për skemën e ashtuquajtur “Paqja Fiskale”, e cila, sipas institucionit, rrezikon të dëmtojë kulturën e pajtueshmërisë tatimore dhe përpjekjet për ndërtimin e një sistemi fiskal modern dhe të drejtë.
Intervista trajton gjithashtu rreziqet nga kreditimi i shpejtë në pasuri të paluajtshme, qëndrueshmërinë fiskale dhe sfidat që Shqipëria duhet të përballojë për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Si e vlerësoni performancën e ekonomisë shqiptare në vitin 2025? Cilat janë pritshmëritë për vitin 2026? Cilat janë shtysat kryesore të rritjes dhe rreziqet kryesore përpara?
Ekonomia shqiptare pati një performancë të fortë në gjysmën e parë të vitit 2025, duke ruajtur një nga normat më të shpejta të rritjes në Europë, pavarësisht goditjeve nga mjedisi global.
Prodhimi i Brendshëm Bruto real vlerësohet të rritet me 3.5% në vitin 2025, i mbështetur nga konsumi elastik, rritja e qëndrueshme e pagave dhe turizmi.
Inflacioni mbetet dukshëm nën objektivin 3%, si pasojë e forcimit të kursit të këmbimit dhe rënies së çmimeve globale të mallrave bazë.
Duke parë përpara, për vitin 2026 parashikohet një rritje prej 3.6%. Kërkesa e brendshme pritet të mbetet një motor i rëndësishëm i rritjes, e mbështetur nga konsumi privat dhe investimet.
Edhe pse me një ritëm disi më të moderuar, turizmi vazhdon të japë kontribut të qëndrueshëm në prodhimin ekonomik. Inflacioni pritet të konvergojë gradualisht drejt objektivit deri në fund të vitit 2026.
Perspektiva ekonomike afatmesme e Shqipërisë mbetet pozitive, me norma rritjeje që pritet të tejkalojnë 3%. Megjithatë, sfida të rëndësishme vijojnë të jenë të pranishme, veçanërisht ato që lidhen me ndryshimet demografike.
Popullsia në moshë pune është tkurrur me 16 pikë përqindje që nga viti 2023, sipas të dhënave të fundit të Censit, dhe pa politika vendimtare, perspektiva mund të bëhet gjithnjë e më e vështirë. Emigrimi që ka gjasa të përshpejtohet me anëtarësimin në BE rrezikon të thellojë më tej mungesat në tregun e punës.
Një anketë e fundit tregon se një në dhjetë shqiptarë planifikon të emigrojë në 12 muajt e ardhshëm, ndërsa një në pesë mund ta bëjë këtë gjatë dekadës në vijim.
Në këtë kontekst, reformat që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE të synuara për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen, për të nxitur punësimin dhe për të gjallëruar dinamikën e biznesit do të jenë thelbësore për rritjen e produktivitetit dhe për zbutjen e presioneve demografike.
Ju keni paralajmëruar vazhdimisht për rritjen e shpejtë të kreditimit në pasuri të paluajtshme. Si i vlerësoni masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë? Në përgjithësi, cilat janë disa nga rreziqet kryesore për stabilitetin financiar?
Sistemi bankar, në tërësi, mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, mbi kërkesat minimale rregullatore. Megjithatë, pas këtij stabiliteti fshihen disa cenueshmëri në zhvillim, të cilat kërkojnë mbikëqyrje të kujdesshme dhe vigjilente.
Rreziqet strukturore burojnë nga raste të izoluara të mosrespektimit të kërkesave rregullatore, kreditimi në valutë pa mbrojtje nga rreziku i kursit të këmbimit, si dhe përqendrimi i riskut te huamarrës të caktuar veçanërisht lidhja e fortë mes shtetit dhe bankave, e reflektuar në mbajtjen e konsiderueshme të letrave me vlerë të qeverisë në bilancet bankare.
Nga ana ciklike, zgjerimi i shpejtë i kreditimit sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshme përbën një burim rreziku, pasi një pjesë e konsiderueshme e kredive të reja hipotekore për familjet dhe e huave për pasuri të paluajtshme tregtare (CRE) karakterizohen nga raporte të larta kredi-vlerë (LTV – ky tregues mat sa e madhe është kredia krahasuar me vlerën e pronës që blihet) dhe shërbim kredie ndaj të ardhurave (sa pjesë e të ardhurave mujore shkon për pagesën e kredisë).
Ruajtja e standardeve të forta të mbikëqyrjes është thelbësore për garantimin e stabilitetit financiar. Përpjekjet mbikëqyrëse duhet të përqendrohen në respektimin rigoroz të kërkesave për kapitalin bankar dhe, kur është e nevojshme, të përfshijnë pezullimin e përkohshëm të shpërndarjes së dividendëve dhe hartimin e planeve për ruajtjen e kapitalit.
Rregullimi prudencial duhet të jetë rreptësisht i bazuar në rrezik dhe nuk duhet të përdoret për të nxitur kreditimin e sektorëve të caktuar.
Në planin makroprudencial, përmirësime të mëtejshme të instrumenteve do të rrisnin qëndrueshmërinë e sistemit. Masat e reja të fokusuara te huamarrësi janë ndërmarrë në kohën e duhur dhe përputhen në linja të përgjithshme me rekomandimet e FMN-së.
Këto masa mbyllin një boshllëk të mëparshëm në kornizën rregullatore dhe duhet të bëhen pjesë e përhershme e paketës së instrumenteve të sektorit financiar.
Nëse rreziqet që lidhen me kreditimin e pasurive të paluajtshme tregtare rezultojnë sistemike, Banka e Shqipërisë mund të ketë nevojë të shqyrtojë përdorimin e instrumenteve shtesë makroprudenciale.
Kalimi drejt një norme neutrale pozitive për rezervën kundërciklike të kapitalit dhe finalizimi i kuadrit të rezervës për rrezikun sistemik do ta forconin më tej stabilitetin financiar.
Vlen të theksohet se, pas 12 vitesh, Shqipëria pritet t’i nënshtrohet një Programi të plotë Vlerësimi të Sektorit Financiar (FSAP), i realizuar bashkërisht nga FMN-ja dhe Banka Botërore.
Ky vlerësim do të analizojë në mënyrë të thelluar qëndrueshmërinë e sektorit financiar ndaj goditjeve, do të identifikojë cenueshmëritë e fshehura dhe do të vlerësojë efektivitetin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, duke siguruar që sistemi financiar i Shqipërisë të mbetet i fortë përballë sfidave në zhvillim.
Si do ta vlerësonit qëndrueshmërinë fiskale të vendit? Si e shihni buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2026, përfshirë propozimin për “Paqen fiskale”? Cilat janë disa nga rekomandimet tuaja kryesore fiskale për 5 vitet e ardhshme?
Pozicioni fiskal i Shqipërisë vlerësohet i qëndrueshëm, duke reflektuar menaxhim të kujdesshëm dhe angazhim për qëndrueshmëri afatgjatë të financave publike. Vendi arriti një suficit primar në vitin 2024 dhe pritet të ruajë të paktën një bilanc primar zero në vijim, në përputhje me rregullin fiskal.
Borxhi publik parashikohet të bjerë nga rreth 54.5% e PBB-së në vitin 2025 në nën 50% deri në vitin 2030.
Megjithatë, në afatin e mesëm po shfaqen presione të ndjeshme: rritja e nevojave për shpenzime sociale, angazhimet për mbrojtjen dhe kostot që lidhen me plakjen e popullsisë mund të ngushtojnë hapësirën fiskale, nëse shtyhen reformat për të ardhurat dhe shpenzimet.
Buxheti i vitit 2026 ruan fokusin te masat për administrimin e të ardhurave. Por shtyrja e reformave kyçe të politikës tatimore (p.sh. taksat mbi pronën për në 2028 dhe tatimi për të vetëpunësuari / bizneset e vogla për në 2029) krijon rreziqe, sidomos duke pasur parasysh se 2029-a është vit zgjedhjesh parlamentare.
Paketa fiskale sjell një skemë “paqeje fiskale”, e cila anulon dhe fal me kushte detyrimet tatimore dhe doganore, lejon marrëveshje vullnetare për të paracaktuar fitimin e tatueshëm dhe për të pezulluar kontrollet, si dhe rivlerëson pasqyrat financiare të së shkuarës me një normë preferenciale të unifikuar prej 5%.
Masa të tilla rrezikojnë të dëmtojnë kulturën e pajtueshmërisë tatimore dhe të cenojnë përparimin e Shqipërisë drejt një sistemi tatimor modern dhe të drejtë. Ato ngrenë gjithashtu shqetësime për efektivitetin e sistemit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), përfshirë identifikimin e të ardhurave me burim të paligjshëm.
Në vend të kësaj, FMN rekomandon që lehtësimi i borxheve të ankorohet në legjislacion të përhershëm, me rregulla të qarta dhe transparente për fshirjen e detyrimeve dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Për pesë vitet e ardhshme, politikat duhet të përqendrohen në ruajtjen e disiplinës fiskale, duke krijuar njëkohësisht hapësirë për shpenzime prioritare.
Rekomandimet e FMN-së përfshijnë përshpejtimin e reformave të politikës tatimore për të zgjeruar bazën dhe për të ulur përjashtimet, modernizimin e tatimit mbi pronën dhe heqjen graduale të regjimeve preferenciale për bizneset e vogla.
Forcimi i administratës tatimore përmes digjitalizimit dhe kontrolleve të bazuara në risk do të jetë vendimtar për të realizuar plotësisht rritjen e të ardhurave në kuadër të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Përparimi i mëtejshëm në qeverisje dhe reduktimi i informalitetit do të ndihmonin gjithashtu në rritjen e mbledhjes së taksave.
Nga ana e shpenzimeve, përmirësimi i eficiencës së investimeve dhe përfshirja e konsideratave për klimën dhe rreziqet nga fatkeqësitë në planifikimin fiskal do të ndihmojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë.
Këto hapa, të kombinuara me menaxhim transparent të rreziqeve fiskale nga Partneritetet Publike- Private (PPP-të) dhe detyrimet e kushtëzuara, mund të garantojnë qëndrueshmërinë dhe të mbështesin rritje gjithëpërfshirëse.
Paqja fiskale
Paketa fiskale sjell një skemë “paqeje fiskale”, e cila anulon dhe fal me kushte detyrimet tatimore dhe doganore, lejon marrëveshje vullnetare për të paracaktuar fitimin e tatueshëm dhe për të pezulluar kontrollet, si dhe rivlerëson pasqyrat financiare të së shkuarës me një normë preferenciale të unifikuar prej 5%. Masa të tilla rrezikojnë të dëmtojnë kulturën e pajtueshmërisë tatimore dhe të cenojnë përparimin e Shqipërisë drejt një sistemi tatimor modern dhe të drejtë. Ato ngrenë gjithashtu shqetësime për efektivitetin e sistemit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), përfshirë identifikimin e të ardhurave me burim të paligjshëm. Në vend të kësaj, FMN rekomandon që lehtësimi i borxheve të ankorohet në legjislacion të përhershëm, me rregulla të qarta dhe transparente për fshirjen e detyrimeve dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Si mund të maksimizojë vendi mundësitë që vijnë nga anëtarësimi në BE?
Pavarësisht arritjeve mbresëlënëse makroekonomike të Shqipërisë vitet e fundit, të ardhurat për frymë mbeten të kufizuara nga produktiviteti i ulët rreth një e treta e mesatares së Bashkimit Europian.
Për t’u ngjitur në “shkallën e të ardhurave”, Shqipëria duhet të mbyllë boshllëqe të vazhdueshme në qeverisje, infrastrukturë, kapital njerëzor dhe ambientin për të bërë biznes.
rocesi i anëtarësimit në BE ofron një mundësi transformuese: akses në Tregun e Përbashkët, integrim më të thellë në strukturat europiane të qeverisjes dhe, mbi të gjitha, një “spirancë” të fuqishme për reforma.
Provat historike nga zgjerimet e mëparshme të BE-së janë inkurajuese. Një studim i fundit i FMN-së[ii] tregon se vendet e reja anëtare fituan rreth 30% në PBB për frymë brenda 15 viteve nga anëtarësimi, të nxitura nga rritja e produktivitetit dhe investimet e huaja.
Për Shqipërinë, një përparim i ngjashëm mund të përgjysmojë hendekun e të ardhurave me BE-në gjatë 15 viteve të ardhshme. Megjithatë, këto përfitime nuk janë të garantuara ato varen nga zbatimi me sukses i një agjende reformash ambicioze, të përqendruar te rritja e produktivitetit.
Një fushë reformash me prioritet është qeverisja: forcimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Mbyllja e këtyre boshllëqeve do të përmirësonte klimën e biznesit dhe të investimeve dhe do të krijonte një terren loje të barabartë.
Studimet e FMN-së tregojnë se reforma të tilla së bashku me politika aktive të tregut të punës, forcimin e arsimit dhe formimit profesional, si dhe investimet në kërkim dhe zhvillim mund të rrisin produktivitetin dhe të ulin shtysat për emigrim[iii].
Përparimi në këto drejtime është thelbësor që Shqipëria të përshpejtojë afrimin e të ardhurave me BE-në dhe të jetë gati të konkurrojë në Tregun e Përbashkët pas anëtarësimit.
Pa reforma vendimtare për të ndërtuar një ekonomi dinamike, produktive dhe të bazuar tek aftësitë, vendi rrezikon të përballet me emigrim të vazhdueshëm, teksa punonjësit e talentuar kërkojnë mundësi më të mira diku tjetër në Europë./Monitor







