Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë një video nga vizita e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shihet momenti i pritjes së saj nga ushtria amerikane në Akademinë prestigjioze Ushtarake West Point.
Në pamjet e publikuara, Presidentja Osmani pritet me brohoritje “Kosova, Kosova”, duke reflektuar respektin dhe vlerësimin e lartë që institucionet amerikane tregojnë ndaj shtetit të Kosovës dhe përfaqësueses së tij më të lartë.
Duke e shoqëruar videon me një mesazh në rrjetin social Facebook, Osmani ka theksuar rëndësinë simbolike dhe politike të këtij momenti.
“Në mesin e Ushtrisë më të fuqishme në botë, në West Point, SHBA.
Një moment që flet për aleancë, besim dhe miqësi të pathyeshme”, ka shkruar ajo.
Kjo vizitë vlerësohet si një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të fuqishme dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit kryesor të Kosovës në proceset shtetndërtuese, të sigurisë dhe të konsolidimit ndërkombëtar.
Akademia Ushtarake West Point konsiderohet një nga institucionet më prestigjioze ushtarake në botë, dhe pritja e Presidentes Osmani aty shihet si një mesazh i qartë për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës.







