Përvoja e emigrimit po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në rritjen e kapitalit njerëzor të shqiptarëve, veçanërisht përmes arsimit dhe përvojës ndërkombëtare të punës. Të dhënat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve shqiptarë zgjedhin të ndjekin arsim të lartë ose të fitojnë aftësi profesionale jashtë vendit, duke përmirësuar perspektivat e tyre në tregun e punës.
Më shumë se një e katërta, 27% e emigrantëve aktualë që zotërojnë një diplomë të lartë e kanë përfunduar arsimin universitar jashtë Shqipërisë, një përqindje dukshëm më e lartë krahasuar me emigrantët që kthehen, ku kjo shifër është rreth 10%. Ky dallim sinjalizon një rritje të emigrimit për qëllime arsimore, sidomos tek brezat më të rinj. Paralelisht, rreth 60% e emigrantëve raportojnë se kanë rritur kapitalin e tyre njerëzor përmes përvojës ndërkombëtare të punës, e cila shoqërohet me përfitime konkrete në paga pas kthimit në Shqipëri.
Të rinjtë e moshës 15–24 vjeç rezultojnë grupmosha më aktive në ndjekjen e arsimit jashtë vendit. Rreth 20 % e emigrantëve dhe atyre që janë kthyer nga kjo grupmoshë kanë arritur nivelin e tyre më të lartë të arsimit jashtë Shqipërisë, ndërsa tendenca e studimeve jashtë vendit bie ndjeshëm me rritjen e moshës. Më shumë se një në tre individë të kësaj grupmoshe kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë, çka pasqyron rritjen e lëvizshmërisë studentore, mundësitë për bursa dhe migrimin e synuar për studime.
Arsimi i lartë mbetet niveli dominues i studimeve jashtë vendit për emigrantët aktualë. Pothuajse një në katër emigrantë nën moshën 30 vjeç janë aktualisht të regjistruar në institucione arsimore jashtë Shqipërisë. Nga këta, 59 % ndjekin studime të arsimit të lartë, ndërsa 36 % janë të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë, duke treguar qartë orientimin e të rinjve drejt kualifikimeve më të avancuara.
Në tërësi, të dhënat sugjerojnë se emigrimi nuk është vetëm një lëvizje ekonomike, por edhe një investim afatgjatë në kapitalin njerëzor, nga i cili përfitojnë si individët, ashtu edhe ekonomia shqiptare në perspektivë.







